LAJMI I FUNDIT:

Reçica: Jemi të përkushtuar që pagën minimale dhe kontratën kolektive t’i jetësojmë sa më parë

Reçica: Jemi të përkushtuar që pagën minimale dhe kontratën kolektive t’i jetësojmë sa më parë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka njoftuar se ka kërkuar nga Komisioni profesional për financa, ekonomi dhe privatizim, që sa më parë të fillojë punën për analizimin dhe sjelljen e propozimit profesional për Pagën Minimale në vend, në mënyrë që të procedohet tutje në qeveri.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se janë të përkushtuar që edhe pagën minimale por, edhe kontratën kolektive t’i jetësojnë sa më parë.


“Kam kërkuar nga Komisioni profesional për financa, ekonomi dhe privatizim, që sa më parë të fillojë punën për analizimin dhe sjelljen e propozimit profesional për Pagën Minimale në vend, për miratim në KES, në mënyrë që ta procedojmë tutje për qeveri. Gjithashtu, një kërkesë të tillë e kam adresuar edhe tek Komisioni profesional për legjislacion, që të nisë sa më parë punën për hartimin e kontratës kolektive në vend, e cila do të ishte e pranueshme për të gjitha palët duke pasur për bazë edhe situatën pandemike dhe para së gjithash të jetë një kontratë e zbatueshme nga të gjitha palët”, shkruan Reçica.

Po ashtu, Reçica përmes një postimi në Facebook, tha se në mbledhjen e Këshillit Ekonomik-Social kanë miratuar  për konsolidimin e pesë komisioneve profesionale, në përbërjen e të cilave janë përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, organizatat e të punësuarve (sindikatat) dhe organizatat e punëdhënësve.

“Jemi tejet të përkushtuar që pagën minimale dhe kontratën kolektive t’i jetësojmë sa më parë. Nën kryesimin tim, në cilësinë e ministrit Punës dhe Mirëqenies Sociale, sot kemi mbajtur mbledhjen e radhës të Këshillit Ekonomik-Social, ku dhe kemi miratuar vendimet për konsolidimin e pesë komisioneve profesionale, në përbërjen e të cilave janë përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, organizatat e të punësuarve (sindikatat) dhe organizatat e punëdhënësve”, shkruan Reçica. /Telegrafi/