Reali vendos përfundimisht, do të rikthejë Nico Pazin

Real Madrid ka vendosur të ushtrojë opsionin e riblerjes për rikthimin e mesfushorit të ri Nico Paz, i cili skadon më 30 maj.
Klubi madrilen po kërkon të përforcojë mesfushën e tij, një repart që ka shfaqur mungesë thellësie dhe formë të paqëndrueshme këtë sezon.
Lojtarë si Eduardo Camavinga dhe Dani Ceballos nuk kanë arritur të sjellin stabilitetin e nevojshëm, ndërsa skuadra rrezikon të mbyllë një tjetër sezon pa trofe.
Sipas raportimeve të Diario AS, bordi i Real Madridit ka marrë tashmë vendimin për të aktivizuar opsionin e blerjes së Nico Paz, i cili është fiksuar në vlerën 9 milionë euro. Marrëveshja pritet të finalizohet para përfundimit të afatit në fund të majit.
21-vjeçari u largua nga Real Madridi në verën e vitit 2024 për t’iu bashkuar Como 1907, ku ka zhvilluar paraqitje shumë të mira dhe ka tërhequr vëmendjen e klubit madrilen.
Diario AS raporton se Como është tashmë në dijeni të vendimit dhe marrëdhëniet mes dy klubeve mbeten shumë të mira.
Gjithashtu, pritet që bashkëpunimi mes Real Madridit dhe Comos të vazhdojë, me mundësi huazimesh të tjera për lojtarë të rinj si Jesus Fortea dhe Daniel Yanez, të cilët po ndiqen nga klubi italian për zhvillim të mëtejshëm. /Telegrafi/




















































