LAJMI I FUNDIT:

Reali nuk këndellet pas humbjes nga Barca, luan baras ndaj Celta Vigos (Video)

Reali nuk këndellet pas humbjes nga Barca, luan baras ndaj Celta Vigos (Video)
VIGO, SPAIN - JANUARY 07: Gustavo Cabral of RC Celta de Vigo competes for the ball with Gareth Bale of Real Madrid during the La Liga match between RC Celta de Vigo and Real Madrid at Municipal Balaidos on January 7, 2018 in Vigo, . (Photo by Octavio Passos/Getty Images)

Real Madridi ka luajtur baras (2-2) në udhëtim te Celta Vigo, edhe pse një kohë të gjatë e pati epërsinë.

Skuadra vendase pati një shans shumë të mirë në minutën e 13-të, kur Iago Aspas e goditi shtyllën nga afërsia.


Një rast i mirë iu dha edhe Casemiros në minutat në vazhdim, mirëpo Ruben Blanco intervenoi për mrekulli.

Pas një kundërsulmi të shpejtë të nikoqirëve, Aspas asistoi te Daniel Wass që shkoi drejt portës dhe me një parabolë nga jashtë zonës, shënoi në portën e Keylor Navas (33′), i cili kishte dalë përpara.

(Foto: Getty Images)

Mirëpo, gëzimi i tifozëve vendas ishte shumë i shkurtër. Gareth Bale pranoi një asistim preciz në zonë nga Toni Kroos dhe e barazoi rezultatin (36′).

Dy minuta më pas, anësori uellsian e përmbysi rezultatin. Isco ishte fantastik me asistimin e tij dhe Bale e dërgoi topin në rrjetë (38′).

(Foto: Getty Images)

Të dyja skuadrat vazhduan ta kërkonin golin në gjysmën e dytë. Pas një rasti të Cristiano Ronaldos, Navas shkaktoi penalti.

Mirëpo, portieri i Realit e përmirësoi gabimin e tij duke e mbrojtur njëmbëdhjetëmetërshin e Aspas (72′).

Pas përpjekjeve të shumta, Celta ia doli ta barazonte rezultatin. Harkimin e Wass e priti në zonë Maximiliano Gomez Gonzalez për të shënuar me kokë (82′).

(Foto: Getty Images)

Mysafirët tentuan ta kthenin rezultatin në favor të tyre në minutat e mbetura, por vendasit nuk lëshonin pe, ata madje rrezikonin për të shënuar.

Ky ishte barazimi i pestë sezonal i Real Madridit që mban vendin e katërt në tabelë me 32 pikë të arkëtuara dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Në xhiron e ardhshme, Los Blancos luajnë kundër Villarrealit.

Celta Vigos do t’i shërbejë kjo pikë në luftën për të qëndruar në La Liga. Në javën e ardhshme kjo skuadër udhëton te Levante. /Telegrafi/