Real Madridi një ‘makth’ për Szczesnyn, polaku ka një rekord të tmerrshëm ndaj tyre

Wojciech Szczesny përballet me një ‘fantazmë’ të frikshme të El Clasicos këtë të diel në ‘Santiago Bernabeu’, ku portieri polak, tashmë numri 1 i Barcelonës për shkak të rikuperimit të Joan Garcias nga dëmtimi i meniskut, nuk ka arritur kurrë të mbajë portën e paprekur në gjashtë përballje ndaj Real Madridit, duke pësuar plot 11 gola, me një mesatare prej 1.8 për ndeshje.
“Kurbani” i parë i këtij mallkimi daton në sezonin 2015/2016, kur Szczesny mbronte portën e Romës në fazën e 1/16-ve të Ligës së Kampionëve. Një humbje 2-0 në ‘Santiago Bernabeu’ pas golave të Cristiano Ronaldos dhe James Rodríguez, që pasoi disfatën 2-0 në Olimpico nga Ronaldo dhe Jese.
Fati i tij u përkeqësua në sezonin 2017/2018, kur ai mbante fanellën e Juventusit në çerekfinale, hyri në lojë në minutat shtesë për të zëvendësuar Gianluigi Buffon, i cili u përjashtua me karton të kuq, vetëm për të parë Ronaldon të realizonte një penallti të diskutueshme që vulosi eliminimin me rezultatin e përgjithshëm 3-1, sukses që i dha Real Madridit trofeun e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve.

Kapitulli i tij me Barcelonën ka shtuar faqe të hidhura. Një karton i kuq në minutën e 57-të në finalen e Superkupës së Spanjës pas golit të Kylian Mbappe, pavarësisht rikthimit me rezultat 5-2, dy gola të pësuar në finalen e Kupës së Mbretit (nga Mbappe dhe Aurélien Tchouameni) dhe tre gola nga het-triku i Mbappes në një thriller 4-3 në ‘Montjuic’ në La Liga.
Në këtë sezon, Szczesny nuk ka arritur ende asnjë portë të pastër në pesë paraqitje, ka pësuar një gol ndaj Real Sociedad, dy ndaj PSG-së, katër në fushën e Sevillës dhe nga një gol ndaj Gironës e Olympiacosit.
Në moshën 35-vjeçare, portieri polak kërkon të thyejë mallkimin e tij ndaj Real Madridit dhe njëherësh të ruajë për herë të parë portën e paprekur me Barcelonën e Hansi Flick, e cila po kalon një formë mbresëlënëse./Telegrafi/




















































