LAJMI I FUNDIT:

Reagon Lushtaku: Vetëvendosje më shkarkoi përkundër performancës pozitive

Reagon Lushtaku: Vetëvendosje më shkarkoi përkundër performancës pozitive

Bordi i drejtorëve të “Ibër Lepencit”, ka shkarkuar sot nga detyra kryeshefin, Berat Lushtaku.

Lushtaku, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka reaguar duke thënë se vendimi i sotëm nuk është i bazuar në analizën e përformancës.


Lushtaku thotë se sot u tregua që puna me e mirë që Qeveria dinë të bëjnë është shkarkimi, bllokimi dhe defunksionalizimi i institucioneve shtetërore.

Ai ka shkuar më tej saqë ka krahasuar shkarkimin e tij me masat e dhunshme të vendosura nga Serbia gjatë viteve të 90-ta.

“Sot bordi i përkohshëm i N.H. “Ibër-Lepenc” i emëruar nga pushteti aktual, në stilin e masave të dhunshme të instaluara nga pushtuesi serb në vitet e 90-ta, pa përfillur as rregulla e as procedura, me një bord gjysmak, pa ndonjë analizë, pa ndonjë bilanc të arriturave të ndërmarrjes, mori vendim për shkarkimin tim nga pozita e Kryeshefit të ndërmarrjes , shkarkim ky plotësisht i jashtëligjshëm dhe i motivuar politikisht”, ka shkruar Lushtaku, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se vendimi i bordit të “dhunshëm” është arbitrar dhe nuk e pasqyron gjendjen reale të ndërmarrjes.

“Në vitet prej se unë e udhëheqë ka pasur një performancë të shkëlqyeshme, performancë kjo e konstatuar nga raportet vjetore të auditimit të jashtëm, në të gjithë sektorët e ndërmarrjes”.

Lushtaku thotë se vendimi për shkarkimin e tij është krejtësisht në kundërthënie me deklarimet e kryeministri Kurti, i cili në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës 27.05.2021, ka vlerësuar performancën pozitive dhe të arriturat e N..H. “Ibër-Lepenc”.

“Rritja e te hyrave nga energjia elektrike në masën 33 %, rritja e të hyrave të përgjithshme të ndërmarrjes dhe ndryshimi komplet i gjendjes financiare të ndërmarrjes me një bilanc financiar prej 5 milion euro, regjistrimi i të gjitha pronave të ndërmarrjes në gjeoportalin shtetëror, projektet dhe investimet kapitale më Bankën Botërore, më të mëdhatë në historinë e e ndërmarrjes, janë vetëm disa nga të arriturat e mia gjatë udhëheqjes së N.H.”Iber-Lepenc”.

Ai thotë se në vend që të shpërblehet nga qeveria, u shkarkua.

“Njoftoj opinionin e gjerë se do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar këtë vendim arbitrar të një bordi joprofesional të instaluar nga një qeveri diletante”.

Lushtaku ka falënderuar menagjmentin dhe punëtorët për bashkëpunimin e deritanishëm./Telegrafi/