LAJMI I FUNDIT:

Reagime pas raportit të DASH: Institucionet e Kosovës të përmbyllin rastet me dënime meritore

Reagime pas raportit të DASH: Institucionet e Kosovës të përmbyllin rastet me dënime meritore

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për Kosovën. Në këtë raport, DASH ka cekur një varg problemesh me të cilat përballet Kosova.

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për vitin 2018 thekson korrupsionin në strukturat qeveritare, kërcënimet e dhuna ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të pakicave nga forcat e rendit, si dhe kthimin e personave që përmbushin standardin e refugjatit në vendet e origjinës.


Raporti nënvizon se në disa raste qeveria ndërmori hapa për të ndëshkuar zyrtarë të forcave të rendit apo të institucioneve të tjera, të cilët kishin kryer shkelje. Megjithatë, sipas konstatimeve të Departamentit të Shtetit, në mes të punonjësve civilë, opozitës, shoqërisë civile dhe medias mbetet e përhapur bindja se zyrtarët qeveritarë përfshihen në korrupsion pa frikën e ndëshkimit në përputhje me ligjin.

Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë për Telegrafin se ky raport dëshmon ligjet në Kosovë nuk vlejnë dhe nuk zbatohen në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët e saj

“Instituti i Kosovës për Drejtësi gjatë vitit 2017, kishte paralajmëruar institucionet përmes raporteve të publikuara si rezultat i monitorimit sistematik të institucioneve të drejtësisë, se Kosova është duke shkuar drejt kapjës së shtetit nga politika dhe grupe të interesit. Raporti i Departmantit të Shtetit i publikuar sot dëshmon se në Kosovë edhe përkundër se ka ligje të mira, të njejtat nuk vlejnë dhe nuk zbatohen në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët e saj”, është shprehur ai.

Sipas tij raporti i publikuar shënon regresin e Kosovës për të siguruar shtet ligjor.

“Politika dhe grupet e interesit kanë arritur me sukses ta politizojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ta kontrollojnë në mënyrë plotë përmes prokurorëve apo gjykatësve që i kanë emëruar në këto pozita përmes ndikimeve politike. Raporti i publikuar shënon regresin e Kosovës për të siguruar shtet ligjor, për të garantuar të drejtat dhe liritë e njeriut dhe për të ofruar drejtësi në mënyrë të drejtë, barabartë dhe pavarur për të gjithë”, ka thënë Miftaraj.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se ky raport për dallim nga ai i vitit të kaluar ka theksuar edhe disa probleme tjera përveç problemit të korrupsionit.

“Në aspektin e korrupsionit dhe problemeve tjera, raporti tregon se Kosova është në pozitën që ka qenë edhe vitin e kaluar, për shkak se këto probleme që i ka identifikuar raporti i DASH-it, janë që kanë qenë edhe në raportin e kaluar. Ka mungesë të theksuar të luftimit të korrupsionit sidomos të nivelit të lartë, pra siç flasim ne në gjuhën shqipe për ‘peshqit e mëdhenj’. Kosova prapë po stagnon pasi që nuk kemi vendime të fuqishme të gjyqësorit tonë që janë dënuar figura të tilla, edhe pse kanë qenë disa raste që janë vënë në gjykim. Fokusi prapë po mbetet se ka mungesë të theksuar të korrupsionit kur flasim për nivelin e lartë politik”, ka thënë ai.

Sipas tij në këtë raport është shqetësuese edhe pjesa e deportimit të turqve.

“Ajo çka është shqetësuese dhe nuk ka qenë në raportet e kaluara është pjesa e deportimit të turqve. Është një problem që është ngritur edhe nga organizatat e shoqërisë civile, e që ka qenë një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut mënyra se si janë deportuar ata, dhe akoma nuk kemi adresë të përgjegjësisë se kush është përgjegjësi kryesor për këtë që ka ndodhur. Kjo gjë ka krijuar një frikë të pasigurisë për investuesit e tjerë ndërkombëtar që vijnë të investojnë në Kosovë, sepse edhe atyre mund t’iu ndodhë e njëjta. Kjo është shumë shqetësuese dhe institucionet tona duhet të japin një adresë të qartë se kush janë personat përgjegjës për këtë duhet ta marrin ndëshkimin e merituar konform ligjeve në fuqi”, ka theksuar ai.

Demhasaj ka folur edhe për sulmet ndaj gazetarëve, problem ky i cili është cekur në raportin e DASH-it.

“Është edhe një e ngritje e shqetësimit sa i përket sulmeve ndaj gazetarëve, gjë kjo e cila nuk është ngritur në të kaluarën. Ne si organizatë “Çohu” kemi zhvilluar një hulumtim dhe kemi realizuar një dokumentar që flet për disa raste që gazetarët janë sulmuar, janë kërcënuar. Në anën tjetër institucionet e hetuesisë nuk i kanë marrë masat e nevojshme që personat përgjegjës t’i akuzojnë dhe dërgojnë para gjyqësorit, ku ky i fundit të marr vendime të merituara për persona. Pra pas gjithë këtyre shqetësimeve të ngritura nga raporti i DASH-it institucionet e Kosovës duhet të reagojnë që të zhvillojnë hetime edhe për korrupsion të nivelit të lartë, por edhe për rastet që janë përmendur si ai i turqve dhe kërcënimi i gazetarëve. Duhet që këto raste të përmbyllen me dënime meritore duke treguar që shteti ka filluar të reagoj ndaj këtyre dukurive negative”, është shprehur ai.

Ndër të tjera raporti vë në dukje një numër problemesh në zbatimin e drejtësisë. Problemet me drejtësinë ndërlikohen edhe më shumë nga rastet e korrupsionit në radhët e forcave të rendit. Raporti sjell shembullin e një numër policësh të arrestuar vjet nën akuzat për korrupsion, ndër to raste për abuzim pushteti si dhe mitmarrje./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Haradinaj: Ne e ruanim Asociacionin për njohje të Serbisë ose për anëtarësim në NATO, Kurti e dha për Këshillin e Evropës

Haradinaj: Ne e ruanim Asociacionin për njohje të Serbisë ose për anëtarësim në NATO, Kurti e dha për Këshillin e Evropës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Kalo në kategori