LAJMI I FUNDIT:

Ratifikimi i dhunshëm i Marrëveshjes Ashton-Dacic!?

Definicioni mbi marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale shpjegon se marrëveshjet e tilla munden të arrihen vetme mes shteteve të barabarta, të pavarura e sovrane, që reciprokisht e njohin njëra-tjetrën dhe që nuk janë produkt i presioneve politike apo kërcimeve e shantazheve të asnjë lloji, nga vendet mes të cilave arrihen marrëveshjet, si dhe nga vendet e treta! Ratifikimi i marrëveshjeve jashtë këtyre kushteve nuk ka legalitet dhe nuk e obligon në respektimin e realizimin e tyre nga vendet të cilat detyrohen me dhunë politike e ushtarake që të nënshkruajnë marrëveshje të tilla.

Definicioni mbi demokracinë shpjegon se fjala është për pushtetin e popullit (demos – populli, kracia – pushteti), kur populli drejtpërdrejt i propozon, i voton dhe i zgjedhë me shumicën e votave përfaqësuesit e vet dhe i shkarkon ata me të njëjtën procedurë! Pushteti i realizuar përmes të partive politike (moniste apo pluraliste – krejt njësoj) është antidemokratik! Sepse, kandidatët e propozuar nga partitë politike nuk i përfaqësojnë interesat e popullit dhe nuk përgjigjen para popullit, por i përfaqësojnë interesat e partive dhe përgjigjën para partive të veta. Kjo nuk është demokraci por partio-kraci! Këtu nuk ka pushtet të popullit, por ka pushtet te partive.


Demagogjia partio-kratike që dy shekuj po mundohet të arsyetojë sundimin e vet diktatorial mbi popujt e vendeve të ndryshme, duke u fshehur pas maskës së demokracisë! Ata e quajnë veten demokratë edhe kur në pushtet vijnë duke i vrarë kundërshtaret e vet, e edhe kur në pushtet vijnë me vota të vjedhura ose duke i korruptuar liderët për të blerë nga ata një karrige ministrore apo karrige deputeti etj.

Si mundet të ketë zgjedhje të lira në një vend të okupuar nga hajnat ndërkombëtarë dhe nga hajnat vendorë (vjedhjen e KEK-ut dhe vjedhjen e dëshmive në polici në Prishtinë etj. e kanë bërë hajnat e UNMIK-ut)? Ku mundet me pasë zgjedhje të lira në një vend ku ushtritë e policitë e huaja, së bashku me gjykatat e huaja e me administratën e huaj të quajtur EULEX – UNMIK, e bëjnë pushtetin real, ndërsa institucionet vendore, si marioneta të tyre, bëjnë pushtetin fiktiv etj.

Definicioni mbi shtetin shpjegon se shteti i pavarur e sovran dhe i barabartë me shtet tjera është ai vend i cili në hapësirën e vet territoriale nxjerr vet Kushtetutën e ligjet e veta duke e respektuar parimin e vetëvendosjes se popujve, pa ndikim politik nga jashtë; që ka ekonomin (duke e përfshire edhe monedhën) e vet të pavarur nacionale; që ka forca nacionale për ruajtjen e rendit nga anarkistët vendor; për mbrojtjen e vendit nga agresionet e jashtme; si dhe kur brenda vendit nuk ka forca të huaja të armatosura pa mandatë kohor e hapësinor të veprimit dhe me numër të kufizuar (që nuk arrin 15 për qind të numrit ushtarak vendor) të lejuar nga autoritet vendore, pas marrjes së pëlqimit të popullit në referendum. Forca të tilla të huaja të armatosura munden të qëndrojnë në kohë të kufizuar me misione paqësore dhe nuk munden të përdoren për agresione ndaj vendeve mikpritëse e as ndaj vendeve të treta.

Definicioni mbi Kushtetutën shpjegon se fjala është për aktin më të lartë normativ me të cilin rregullohet jeta e një populli brenda një shteti. Kushtetua, si një kontratë e përbashkët, të cilës duhet t’i përmbahen të gjithë qytetaret e një vendi, hartohet pas një debati të përgjithshëm popullor dhe miratohet me referendum, ku respektohet vullneti i shumicës. Kushtetutat e vërteta demokratike aplikojnë formën e referendumit për marrjen e të gjitha vendimeve me interes kombëtar, kur mbi çështje të tilla nuk ka mundësi të merren vendime në bazë të ligjeve në fuqi.

Duke u nisur nga këto parime, arritja e Marrëveshjes Ashton-Dacic për krijimin e “Republika Srbskas” në Republikën e Kosovës, është në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare dhe me të drejtën kombëtare. Andaj, ratifikimi i kësaj marrëveshje nga marionetat e Brukselit në Qeverinë e Kuvendin e Kosovës, ku ata janë instalua me vota të vjedhura dhe me korrupsion, nuk paraqet dokument legal dhe si i tille nuk e obligon Republikën e Kosovës.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje u realizua në mënyrë të dhunshme nga ana e Brukselit dhe mercenarëve vendorë, njësoj sikur që u nënshkrua Dokumenti i Rambujesë dhe Plani i Ahtisaarit që ishin e janë produkte të presioneve politike, të kërcimeve e shantazheve të huaja korruptive, e me lakun në fytin e Kosovës përmes të prezencës e forcave të huaja të armatosura dhe me kërcënime tjera politike, sociale e ekonomike.

Edhe kur u miratua Plani i Ahtisaarit, edhe kur u miratua marrëveshja Ashton-Dacic, u përgjaken rrugët e Prishtinës nga dhuna e mercenarëve të Brukselit nga policët vrasës të BE-së që me 10 shkurt 2007 vranë dy e plagosen mbi 80 kryengritës dhe me mija u helmuan dhe u rrahën barbarisht. Dhunë e ngjashme u përdor kundër kryengritëseve shqiptarë edhe më 27 qershor 2013 nga ana e mercenarëve vendorë dhe të atyre të EULEX-it me urdhrin e Brukselit, vetëm pse kryengritësit e kundërshtuan rektifikimin e një marrëveshjeje reaksionare në dëmin e Republikës së Kosovës me anën e së cilës po copëtohet Kosova dhe në një pjesë të territorit të saj po krijohet një njësi shtetërore armiqësore e krijuar nga armiqtë serbë.

Për të maskuar dhunën me të cilën u miratua kjo marrëveshje armiqësore, filluan të rrahin kambanat propagandistike të tipit të Gebelsit hitlerian, gjoja se “LVV përdori dhunën” për të penguar miratimin e saj. Në ketë shërbim u vu edhe ambasadorja e SHBA-ve duke demonstrua lëndimin e saj, edhe pse asaj, nga truprojat, nuk ka pas shanse me iu afrua as policia e Kosovës e lëre më ndonjë qytetar. Me këtë u synua që të akuzohet LVV dhe të harrohen qytetarët kryengritës që u plagosen dhe u rrahën barbarisht nga mercenaret e Brukselit. Kjo në të vërtetë ishe një kryengritje politike, se po të ishte kjo një kryengritja e dhunshme, askush nga diplomatët e huaj nuk do të qëndronin në Kosove e lëre më të vijnë në Parlament me e diktua ratifikimin e kësaj marrëveshjeje armiqësore.

Ne dimë mire se askush në SHBA nuk do të pranonte kurrë miratimin e një marrëveshjeje të tillë të dëmshme kundër SHBA-ve, me te cilën brenda SHBA-ve do të krijohej një njësi shtetërore armiqësore nga armiqtë! Për shembull, si do të reagonte administrata amerikane nëse al-Kaida do të kërkonte të krijonte një shtet brenda SHBA-ve? Atëherë, kur ata vet këtë nuk do ta bënin për vendin e vet, pse po kërkojnë që Kosova të pranojë që brenda Republikës së Kosovës të krijohet një “Republika Srbska” e çetnikëve serbë? Kjo është një pyetje shumë serioze që administrata amerikane duhet ta analizojnë. Sepse, kur cenohet tërësia e tyre territoriale ata janë në gjendje të përdorin edhe tërë arsenalin e armatimit atomik për të mbrojtur sovranitetin territorial, ndërsa LVV-në e akuzojnë për veprime të dhunshme, sepse vetëm ajo organizon demonstrata paqësore në mbrojtje të Republikës së Kosovës.

LVV dhe liderëve të saj mundet t’ju adresohen kritika, për çka dhe unë nuk kam ngurruar asnjëherë t’ua numëroi publikisht gabimet e tyre sa herë që ato kanë ndodhë. Por, të akuzosh LVV-në për veprime të dhunshme për organizmin e demonstratave kundër vendimeve që janë kundër kombit dhe atdheut tonë, kjo është e paqëndrueshme!

Kjo Marrëveshje është marrëveshja e dyte në historinë shekullore armiqësore mes Serbisë dhe Shqipërisë. Këto dy marrëveshje i kanë nga 15 pika identike. Të parën e ka nënshkruar Nikola Pasici dhe të dytën Ivica Dacici. Nga pala shqiptare ato i kanë nënshkruar dy zero!

Ju duhet ta dini dhe këtë duhet ta mësojnë të gjithë miqtë tanë se ne mund të bëjmë gjithçka për miqësinë tonë me SHBA-të e me BM-në dhe me vendet tjera mike, duke përfshirë edhe sakrifikimin e jetëve tona për mbrojtjen e miqve tanë. Por, Atdheun tonë nuk e sakrifikojmë kurrë për kurrfarë çmimi dhe për kurrfarë miqësie!