LAJMI I FUNDIT:

Ranë këto zgjedhje dhe u pamë…!

Ranë këto zgjedhje dhe u pamë…!

Me durimin e gurit prita përfundimin e numërimit të votave të zgjedhjeve të 8 Qershorit 2014! Kur kjo ndodhi, rendi është që së pari të ju përcjelli urimet atyre që i kanë fitua votat! Do të ishte e logjikshme se tërë ajo që është thënë para zgjedhjeve të konsiderohet se ka qenë pjese e fushatës për apo kundër subjekteve apo kandidatëve, dhe se tani pushtetin e ri duhet me i dhënë mbështetjen e nevojshme për çuarjen e proceseve përpara!

Por, meqë struktura e deputetëve të zgjedhur nuk premton për çuarjen e proceseve përpara, unë jam i detyruar që të uroj vetëm ata deputetë që e di se sigurisht do të angazhohen për çuarjen e proceseve përpara!


Kur i lexova emrat e deputetëve të partive politike, aty pash se s´kemi arsye me ju gëzua këtyre zgjedhjeve, sepse ato nuk sollën kurrfarë ndryshimesh. E vendi ka pas nevojë për ndryshime më shumë se çdo herë tjetër. Përkundrazi, edhe pak do njerëz që kanë premtuar se janë më të mirë, nuk ishin në listat e deputetëve. Për disa që kanë qenë me parë deputetë dhe tani nuk janë më u gëzova dhe për disa të tjerë më erdhi keq që nuk janë rizgjedhur. Me së shumti më erdhi keq për disa kandidatë të rinj që nuk ishin zgjedhur, sepse e di sigurisht se disa prej tyre kanë qenë lokomotiva të procesit! Me dhimbset Kosova që nuk i ka për deputetë këta njerëz!

U tha se çdo kandidat në fushatën e vet është dashur të investojë së paku 10 mijë euro. Nëse kjo shumëzohet me nga 110 kandidat nga çdo subjekt, këtu dalin disa miliona Eeuro të investuar në “lotarinë” zgjedhore. Jam bukur shumë i bindur se me pas luajtur loto me nga 10 mijë euro, fitimi ka qenë i garantuar për secilin. Por, kandidim për deputet nuk garantonte askënd! Ndërsa, unë jam shumë i sigurt se kanë qenë disa qindra kandidatë më të mire se këta dhe që për arsye se ata nuk kanë pas para për fushatë as që kanë kandiduar. Më dhimbset Kosova që nuk i ka për deputetë këta njerëz!

Ranë këto zgjedhje dhe u panë ata që kanë kurriz dhe që nuk përkulen para kurrkujt dhe u panë edhe ata që për pushtet janë të gatshëm me shkel pa mëshirë edhe mbi njerëz meritor! Populli u distancua edhe kësaj radhe prej zgjedhjeve maratonike të atyre që kandiduan me të vetmin motiv për të pasë qasje pranë arkës së buxhetit, dhe për tu pasuruar nga thesari i popullit! Ata që patën klane me të forta fituan më shumë vota! Pra, ata që u zgjedhën nga klanet janë deputetë të klaneve e jo deputetë të popullit! Deputetët e popullit edhe kësaj radhe janë në pakicë! Por, në përfundim del pyetja: Kush i fioti zgjedhjet?

Kam qenë në zgjedhjet e para në Prishtine dhe në atë kohe kam punuar si oficer i SHPK-së! Në një bisedë me shumë kolegë ndërkombëtar, njeri prej tyre, një oficer rus i Policisë së UNMIK-ut më pyeti se kush do të fitojë në zgjedhjet e vitit 2001? Pa menduar gjatë i thash se në zgjedhjet e Kosovës do të del fitues UNMIK-u! Qeshi me ironi dhe tha se po pyet për partitë politike. Unë ju përgjigja se kush do që të fitojë nga partitë do t’i nënshtrohet urdhrave të UNMIK-ut! Edhe tani nuk mundet të ndodh ndryshe, përveç që UNMIK-u e ka ndryshua emrin në EULEX!

Babai im, Zeqir Prapashtica, ndjesë pastë, sa ishte në jetë ma bëri një analogji interesante me partitë politike përmes një tregimi! Ai tha se “…në një dite dimri të ftohte, një baba i 10 fëmijëve që nuk kishte se çka t’ju jepte me ngrënë atyre për mëngjes, thirri gruan ta shtrojë sofrën. U ulën të gjithë pranë sofrës së zbrazet dhe ai filloi t’ju tregonte fëmijëve se sa mire do të ishte që tani në sofër të kishin një gjel deti të pjekur, se si do t’i vinte era mirë dhe se si do të rridhte vaji nga ai! Fëmijëve filloi t’ju shkonte ujë për goje nga ky tregim i yndyrshëm dhe ata filluan të imagjinojnë se gjeli i detit i pjekur ishte aty në sofër. Njeri nga fëmijët e zgjati dorën drejt mesit e sofrës dhe babi i ra në dore dhe i tha: prit deri sa ta ndajë copën tende”. Edhe vet babai kishte fillua t’i besojë imagjinatës së vet fantastike se gjeli ishte aty në sofrën e thatë! Edhe në Kosovë po mbahen “zgjedhjeje të lira“ nën sundimin e huaj civil, ushtarak, policor dhe gjyqësor, duke imagjinuar se jemi në liri!