LAJMI I FUNDIT:

​Ramosaj për lejet e hidrocentraleve: Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje

​Ramosaj për lejet e hidrocentraleve: Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka adresuar një varg kritikash për lëshimin e lejeve për operim me hidrocentrale për kompaninë “Kelkos Energy”.

Ai gjatë raportimit të sotëm në Komisionin hetimor për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve, ka thënë se Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje dhe se nuk po respektohen normat e ndërtimit të hidrocentraleve.


“Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje me gjithë këtë dokumentacion sepse Komuna e Deçanit, pos asaj, nuk iu ka përmbush asnjë obligim, asnjë premtim, asnjë e drejtë që buron nga marrëveshja fillestare që është nënshkruar”, tha ai.

E anëtarja e komisionit nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri e pyeti kryetarin Ramosaj se a është papërgjegjësi e vetë komunës për këtë mashtrim.

“A është mashtruar komuna e Deçanit edhe me papërgjegjësitë e vet? Kush ka qenë atë kohë kryetar, apo ka pasur përgjegjësi dhe është bazuar në ligjet e Kosovës dhe ka bërë një marrëveshje, apo kontratë të cilën ne sot e shohim pse s’po zbatohet dhe ku është problemi?”, tha Gaxherri.

Por Ramosaj sqaroi pse konsideron se komuna që udhëheq është vënë në lajthitje.

“Komuna është institucion që e ka kontinuitetin e vet, pa marrë parasysh kush ka udhëheq më herët e kush sot. E dyta, kur them lajthitje, kërkoj të më kuptoni drejt. Lajthitje është kur t’i fillimisht e merr lejen për të bërë studim të fizibilitetit. Madje premton nënshkruan edhe letra kontraktuale duke qenë i vetëdijshëm sidomos pronari i Kelkos, se duke qenë i vetëdijshëm se momentin kur fillon punën, komuna nuk e ka asnjë të drejtë”, tha ai.

Ndërkaq, anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Bajrush Xhemajli kërkoi të di nëse punimet në këto hidrocentrale kanë ndikuar në humbjen e burimeve të ujit të pijshëm.

“Sipas banorëve është thënë se është humbur një burim për ujë të pijes në Deçan. A është e saktë, apo jo?”, tha ai.

Këtë pohim e konfirmoi edhe vetë kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj.

“Unë vlerësoj që nuk është humb vetëm një burim, përgjatë punimeve unë vlerësoj se janë humbur më shumë se dy burime, fatkeqësisht”, tha ai.

Lidhur me dhënien e licencave afatgjate 40 vjet për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “Kelkos Energy” për hidrocentralet “Deçani” dhe “Belaja” pritet të thirret edhe në interpelancë ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi. /KP/