LAJMI I FUNDIT:

Rama: Tregu i energjisë, pengu më i madh i luftës

Rama: Tregu i energjisë, pengu më i madh i luftës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur sot se qytetarët duhet të vetëdijesohen se tanimë tregu i energjisë është pengu më i madh i luftës, e cila nuk sjell kurrë të mira, po vetëm dhimbje.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Rama ka shtuar se Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë elektrike që i nevojitet.


“Prodhimi ynë varet nga reshjet e shiut e të borës, të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë!”, ka shtuar Rama.

Sipas kryeministrit, si pasojë e thatësirës gjysma e nevojave për energji të vendit mbulohet nga importi, “ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjetike”.

Kriza e çmimeve, Rama: Duhet të përgatitemi për çdo skenar
Lexo po ashtu Kriza e çmimeve, Rama: Duhet të përgatitemi për çdo skenar

“Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht!”, ka theksuar Rama.

Ai ka theksuar se gjasat janë që rritja marramendëse e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare të vazhdojë dhe parashikimet tregojnë një rritje deri në 1,000 euro për megavat orë.

“Qysh me shfaqjen e shenjave të krizës energjetike disa muaj më parë, qeveria ka paralajmëruar kohë të vështira përpara dhe ka vendosur një mburojë financiare për familjet dhe biznesin e vogël”, ka thënë Rama.

Sipas kryeministrit, Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur faturën e energjisë.

“Aktualisht çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lekë [0.5 euro], ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lekë [0.07 euro]!”, ka theksuar Rama.

“Të gjithë këtë diferencë të frikshme ekonomikisht e mbulon krejtësisht shteti, përtej 45 milionë dollarë që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve [0.02 euro] për kilovat për çdo familje në nevojë”, tha Rama, duke shtuar se kostoja tejet e lartë do të vazhdojë të mbulohet nga buxheti sa të ketë mundësi.

“Këtë luftë nuk e ka zgjedhur Shqipëria dhe ne shqiptarët as nuk e ndalim dot, as nuk e shmangim dot. Duhet vetëm ta përballojmë me kurajo, besim dhe durim. Të bashkuar, jo të ndarë”, ka thënë në fund Rama./Telegrafi/