LAJMI I FUNDIT:

Rama, politikan me qëndrim evropian

Rama, politikan me qëndrim evropian

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i dha një leksion Vuçiqit se si duhet të veprojë një lider evropian. Në një përshkrim të shkurtë analitik mund t’i nxjerrë në pah tri dimensione përmbajtjesore që ia shton kryeministrit shqiptar madhështinë e tij gjatë kësaj vizite.

Tensionimi që u shkaktua për simbole kombëtare gjatë lojës sportive nuk i mposhti qëllimet e kryeministrit Rama. Vizita e tij në Serbi, ndonëse e shtyrë në kohë si pasojë e eksesit edhe përplot tensioneve, qartësoi se shqiptarët dhe Shqipëria posedojnë vlera demokratike. Përveç qëndrimit të drejt, Rama veproi edhe si evropian që nuk ka mëri ndaj vlerave nacionale të Serbisë.


Paraqitja e Edi Ramës me vlera demokratike tregoj kulturë të lartë duke e respektuar flamurin e vendit mikpritës, ndonëse flamuri I Shqipërisë që duhej të vendosej në këtë ceremoni mungonte . Ai me respekt të veçantë u përkul para flamurit serb. Me këtë sjellje tregoi se është politikan me kulturë dhe din të respektojë vlerat e popujve e shteteve tjera, edhe pse marrëdhëniet mes dy shteteve janë të tendosura. Ky respekt i treguar ndaj vlerave veçse e himnizon veprimin në fjalë.

Edi Rama tregoi edhe cilësitë e veta si lider i guximshëm. Në konferencën për shtyp Rama tha një të vërtetë që tërë bota e ka të njohur që Kosova është shtet i pavarur, dhe se realitetin e ri duhet pranuar edhe Serbia. Me këtë qëndrim stoik të Ramës, në konferencën për shtyp u tregua se guximi i politikanit duhet të jetë edhe në rastet kur situata nuk është aq e sigurt. Rama e tha një të vërtetë, por edhe apeloi në mes të Beogradit që këtë realitet ta njohë, duke argumentuar se një veprim i tillë ishte në interes jo vetëm të dy vendeve, por tërë Ballkanit.

Ai, duke përfshirë Ballkanin, në mënyrë implicite i tregoi Serbisë se njohja e Kosovës është e nevojshme për stabilizmin e rajonit e me këtë të sigurohet e tërë Evropa.

Shkuarja e Edi Ramës në Preshevë është një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve në mes shteteve. Rama do të takohet me banorët shqiptarë të Luginës, që llogariten si minoritet në Serbi, dhe me këtë veprim ai po e avancon statusin e shqiptarëve, duke treguar atyre se edhe zyrtarisht shqiptarët e kësaj ane meritojnë përkujdesje të shtetit ëmë. Rama, si patriot modern, po i tregon shtetit serb se edhe shqiptarët këtu janë pjesë e shqetësimeve të Shqipërisë.

Realizmi i kësaj vizite të kryeministrit shqiptar në Serbi tregon se shqiptarët janë paqësor dhe duan që të jenë prirës për të ndërtuar dhe zhvilluar këtë rajon, me hapa të sigurt drejt një konsolidimi të mëtutjeshëm të demokracisë, të shtrirjes dhe të fuqizimit të saj.