Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar sot disa pamje nga kantieri i ndërtimit të tunelit të Llogarasë në jug të vendit. 

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka thënë se po punohet me ritme të larta dhe falë formacionit të favorshëm gjeologjik, deri në fund të muajit do të jetë hapur më shumë se gjysma e segmentit.

“Mirëmëngjes, dhe nga tuneli i Llogarasë, ku punohet me ritme të larta e ku falë formacionit të favorshëm gjeologjik, deri në fund të muajit do të jetë hapur më shumë se gjysma e segmentit, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar në Facebook Rama.

Reklama

Puna për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë nisi në nëntor të vitit të kaluar.

Tuneli po ndërtohet nga një konsorcium turk dhe pritet të kushtojë rreth 140 milionë euro.

Reklama

Tuneli i Llogarasë lidh Urën e Shën Elizës me atë të Palasës me një gjatësi prej 5.9 km si dhe do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura 110 dhe 40 metra.

Tuneli pritet të jetë gati për 33 muaj nga data e fillimit të punës. Tuneli do të reduktojë kohën e udhëtimit midis zonave bregdetare të Orikumit dhe Palasës në vetëm 7 deri në 10 minuta nga 55 minuta që është aktualisht. /Telegrafi/

Reklama