LAJMI I FUNDIT:

Rama: Largimi nga sistemi, vetëm fillimi për gjykatësit e korruptuar

Rama: Largimi nga sistemi, vetëm fillimi për gjykatësit e korruptuar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në nisje të një fushate kombëtare të takimeve me qytetarët, ka paralajmëruar se largimi nga sistemi i drejtësisë për të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar është vetëm fillimi dhe se procesi do të vazhdojë edhe me politikanët.

“Dua t’u them të gjithë atyre që thonë se si mund të mbarojë me kaq, si mundet që njerëz që demonstrojnë pasuri marramendëse ta mbyllin çështjen vetëm duke u larguar nga sistemi, u them që ky është vetëm fillimi, sepse ajo çka ne presim të realizohet nëpërmjet këtij sistemi është një sistem që është realisht i pavarur, i cili është realisht i guximshëm, mbi bazën e të gjitha atributeve që i jep Kushtetuta, duke garantuar që të gjithë, edhe gjykatësit dhe prokurorët që largohen sepse janë ata që janë, edhe politikanët që prej 28 vitesh nuk kanë bërë gjë tjetër përveçse kanë akuzuar njëri-tjetrin dhe kanë krijuar idenë se jemi të gjithë njësoj dhe duhen futur të gjithë në një thes, të përballen me këtë sistem dhe të ndahet më në fund shapi nga sheqeri.”


Rama tha se ka shumë për të bërë për Shqipërinë që duam, por Vettingu dhe rekomandimi për hapjen e negociatave i bën krenarë për arritjet dhe optimistë për të ardhmen.

“Ne jemi në një fazë kur ka akoma shumë për të bërë. Në raport me Shqipërinë që duam jemi ende larg, por në raport me Shqipërinë që kishim ne jemi shumë optimistë, pasi kemi realizuar një objektiv madhor me marrjen e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.”

Lidhur me fushatën në të gjithë territorin e vendit që nisi këtë të mërkurë me takimin në Bulevardin e Ri të Tiranës, Rama tha se “ne sot nisim një fushatë në të gjithë territorin e vendit, ku e vetmja gjë që ndryshon nga një fushatë zgjedhore, do të jetë që nuk do të ketë votim në fund, por ndërkohë ne do të prekim të gjithë njësitë administrative të vendit dhe do të flasim me të gjithë qytetarët e vendit, lidhur me çka kemi bërë në 6 muaj dhe me çka duam të bëjmë si dhe do të dëgjojmë prej tyre se çka mendojnë për punën tonë dhe se si të shtrijmë bashkëpunimin me qytetarët. Ky proces nis sot nga Tirana.”

Projekti i Unazës së Madhe të Tiranës nga mbikalimi i Fabrikës së Miellit deri tek Sheshi i Shqiponjës, projekti i terminalit të autobusëve dhe projekti i hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, ishin në mesin e projekteve të cilët u paraqitën para të ftuarve në kuadër të programit të Qeverisë Rama për “Shqipërinë që Duam”. /tvklan.al/Telegrafi/