Mora shkas për ta bërë këtë shkrim, i motivuar nga procesi i zgjedhjeve lokale të nëntorit, nga zhvillimet gjatë raundit të parë dhe fillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve në komunën prej nga vij, të Rahovecit. Më lejoni që paraprakisht të them se partitë politike dhe politikanët lokalë (të ndihmuar si shpesh nga ata të nivelit qendror), si në të kaluarën edhe këtë herë dolën pa u skuqur fare përballë qytetarëve të Rahovecit, pa plan e pa vizion!

Ideja e pushtetit lokal duhet të bazohet në parimin e ofrimit të shërbimeve më të mira publike për qytetarët, shtimin e hapësirave për vendimmarrje dhe llogaridhënie nga autoritetet lokale.
Duke mos dashur që të bëj ndarje partiake mbi peshën e përgjegjësisë, vlerësoj se klasa politike në Rahovec, pozita dhe opozita, qysh nga paslufta në vazhdimësi kanë degraduar vlerat e lartpërmendura duke menduar për pushtet më shumë se për ndërtim të institucioneve të mirëfillta lokale. Degradim ky i cili ka ardhur kryesisht si rezultat i keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe mungesës së aftësisë, por edhe arrogancës së pushtetit lokal për t'i kuptuar më mirë problemet e përditshme të qytetarëve, adresimin apo ofrimin e zgjidhjeve për to.


Si të gjithë vendasit e mi, edhe unë jam i vetëdijshëm se problemet me të cilat ballafaqohemi janë të shumta, e nga më të rëndësishmet mbetet identiteti i Rahovecit - rrushi dhe produktet e tij, pastaj mungesa e ujit të pijshëm dhe rrjeteve të kanalizimit.

Gjithsesi, unë në këtë shkrim nuk do të shkruaj në lidhje me këto tema, por si i ri nga Rahoveci, duke parë problemet me të cilat përballemi, do të fokusohem në degradimin që ka përjetuar, po përjeton dhe shpresoj që nuk do e përjetojë pas zgjedhjeve kultura, rinia dhe sporti në Komunën time!

Natyrshëm lind pyetja pse degradim?! Përveç përgjegjësisë primare e cila i takon pushtetit lokal, besoj qe barrën e përgjegjësisë duhet ta ndiejmë edhe ne të rinjtë. E para, ka dështuar të stimulojë zhvillimin e kulturës, rinisë dhe sportit. Ndërsa, ne kemi dështuar në ndërtimin e raporteve demokratike duke kërkuar llogaridhënie dhe duke bere presionin e nevojshëm kundrejt institucioneve lokale.

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në të shumtën e rasteve ka qenë “drejtori e pazareve politike”, apo siç thotë një mik i imi: "Stacion i autobusëve", në krye të së cilës janë vendosur njerëz të cilët nuk dinë dhe nuk duan t'ia dinë rëndësinë, ndikimin që ka zhvillimi i mirëfilltë i këtij sektori; njerëz që nuk ju behet vonë për krijimin e kushteve për avancimin e vazhdueshëm të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës për të rinjtë, përmirësimin e pozitës së tyre në shoqëri; të cilët nuk mërziten nëse kemi një teatër, shkollë basketbolli, klub hendbolli, klub futbolli që garon në nivelet më të larta të futbollit kosovar, apo organizim me përmasa Evropiane të Festivalit të Rrushit. Sepse, të gjitha këto mund të realizohen!

Për korrektësi, më duhet të them se të vetmet organizata që viteve të fundit kanë ofruar hapësirë për të rinjtë Rahovecas, në mbulimin e vakumit, janë organizata joqeveritare Art Studio, SHL Kosova e njohur si Qendër Rinore në komunën tonë, dhe OJQ Buzëdrini në Ratkoc. Të tjerat organizata, për fat të keq, shumica prej tyre kanë mbetur OJQ në letër. Por, në realitet janë kthyer në marioneta të politikës.

Nga aq sa kam njohuri unë, partitë politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje nuk kanë ofruar program të mirëfilltë zgjedhor, e hiq më pak një plan për sektorin për të cilin po flasim. Neglizhencën ndaj këtij sektori institucionet lokale po e dëshmojnë edhe me ndarjen e buxhetit vjetor, duke e lënë Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport me buxhet të skamjes!

Gjatë takimeve dhe bisedave të përbashkëta, shpesh herë kemi trajtuar tema të cilat kanë të bëjnë me organizimin e jetës shoqërore e institucionale në Rahovec. Tema si: zgjedhjet, premtimet e politikanëve, shitja e rrushit dhe produkteve të tij, aktivitetet kulturore, sportive e rinore, migrimi apo largimi i të rinjve si rezultat i mungesës së perspektivës... ishin dhe janë pjesë e pandashme e kafes sonë të mëngjesit! Mirëpo, dorën në zemër, më shumë jemi ankuar se sa kemi provuar të kontribuojmë me veprime konkrete për ta ndryshuar gjendjen. Duhet të kërkojmë hapësira për veprim, dhe t’i mbajmë përgjegjës politikanët tanë për premtimet e dhëna.

Nuk po pretendoj që me një prekje të stilit me shkop magjik, do zgjidheshin të gjitha problemet ekzistuese, mirëpo jam i bindur që me program specifik dhe në krye të të cilave për implementim do të vendoseshin njerëz profesional dhe energjik e që janë të shumtë në komunën tonë, do të fillonim një rrugë të mbarë drejt krijimit të kushteve të domosdoshme për ambient më të përshtatshëm për të rinjtë, kulturën dhe sportin.

Ne të gjithë duhet ta kuptojmë një herë e mirë se politika dhe politikanët duhet të jenë në shërbim tonin, duke na ofruar shërbime më të mira! Ne jemi ata të cilët duhet të jemi më aktivë në jetën sociale, të ngrehim zërin ndaj arrogancës dhe padrejtësive të pushtetit. Sepse, demokracia nuk ka të bëjë vetëm me dalje në zgjedhje, por edhe me monitorim sistematik mbi kryerjen e punëve nga institucionet lokale, sepse ne, qytetarët, jemi ata të cilët japim dhe marrim mandatin e politikanëve.