LAJMI I FUNDIT:

Radikalizimi i të burgosurve: BIK thotë se në burgje ka hasur libra problematikë që devijojnë nga islami tradicional

Radikalizimi i të burgosurve: BIK thotë se në burgje ka hasur libra problematikë që devijojnë nga islami tradicional

Burgjet nëpër të gjithë Kosovën, deri vonë kanë poseduar literaturë që nuk ka reflektuar islamin tradicional që shekuj me radhë është praktikuar në Kosovë. Madje, një numër i imamëve ka mbajtur ligjërata nëpër burgje, pa dijeninë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo tashmë është ndërprerë, thonë përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Disa dhjetëra njerëz në Kosovë janë duke vuajtur dënimin për terrorizëm. Institucionet e Kosovës dhe Bashkësia e Islame e Kosovës kanë nisur një bashkëpunimin për të penguar përhapjen e radikalizmit në burgje.


Zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë të Qeverisë së Kosovës thonë se është vërejtur prania e radikalizmit në mesin e të burgosurve, të cilët po mbajnë dënimin për vepra penale krejtësisht tjera.

Gjatë vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 10 aktgjykime ka dënuar 31 persona për terrorizëm. Vetëm në muajin janar të këtij viti, janë dënuar edhe shtaë persona me 18 vjet e gjysmë burg. Dënime të tilla ka pasur edhe në komunat tjera, ndërkaq që ndër të dënuarit ka pasur edhe imamë. Në Ferizaj, në vitin 2016, është dënuar me 10 vjet burg ish-imami Zeqirja Qazimi, bashkë me të cilin edhe 6 persona tjerë me gjithsej 32 vjet burgim.

Në bazë të ligjit në fuqi, ai që organizon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja, mbledhjen e fondeve për konfliktet e huaja dhe pjesëmarrjen në to, ose që bën thirrje për pjesëmarrje të tillë, mund të dënohet me burg nga 5 deri në 15 vjet.

Ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, Dhurata Hoxha, ka theksuar se tashmë në burgje janë identifikuar personat e radikalizuar dhe se ata po mbikëqyren. Edhe ekipi i ICITAP-it amerikan (Programi ndërkombëtar për ndihmë dhe stërvitje ndaj kriminalitetit), po punon për analizimin e gjendjes aktuale në burgje, pas së cilës do t’i bëj rekomandimet dhe strategjinë.

Në procesin e deradikalizimit në burgje është përfshirë edhe Bashkësia Islame e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë. Fatmir Ilazi, ndihmës i imamit kryesor të Kosovës, Sabri Bajgora, thotë se zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës, në bazë të marrëveshjes me Ministrinë e Drejtësisë, kanë kryer kontrollin e literaturës në nëntë burgje në Kosovë, për shkak të dyshimeve të Shërbimit korrektues se në burgje është i pranishëm radikalizmi nga ana e personave të burgosur për shkak të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Sipas tij, delegacionin e Bashkësisë Islame e ka udhëhequr kryeimami Sabri Bajgora. Siç thotë Ilazi, janë hasur libra problematike mbi islamin, të cilat më parë ishin tërhequr nga bibliotekat e burgjeve.

“Në pyetjen tonë se si kanë ardhur ato, dikush ka thënë se i kanë sjellë familjarët, dikush ka thënë se i ka sjellë ndonjë organizatë, ndonjë shoqatë, prej shoqatave që tashmë janë mbyllur nga shteti jonë, nga qeveria. Kemi parë që ajo literaturë nuk është adekuate për të qenë prezente në qendrat korrektuese dhe në të njëjtën kohë i kemi furnizuar me librat tanë, librat e Bashkësisë Islame, të cilat e shpjegojnë islamin tradicional që është sot e 600 vjet në Kosovë”, thotë Ilazi.

Ai thekson se papunësia, varfëria situata e rëndë ekonomike, botimi i pakontrolluar i librave, si dhe qasja ndaj përmbajtjeve të ndryshme në rrjetet sociale, kanë ndikuar te individët që ta ndryshojnë drejtimin dhe të devijojnë nga islami tradicional. Sipas tij, kjo praktikë ka ekzistuar, por pa dijeninë e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Radvan Haqifi, ish-imam nga Gjilani, ka qenë, siç thuhej, udhëheqës i luftëtarëve shqiptarë në kuadër të grupit militant Shteti Islamik. Mediet kanë transmetuar se ai së voni është vrarë në Siri. Një nga ta është Zeqirja Qazimi nga Ferizaj, i dënuar me 10 vjet burg, ndërkaq ka qenë i akuzuar se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare të imamit, duke shpërndarë publikisht urrejtje, mos durim ndërmjet grupeve të ndryshme racore, etnike dhe fetare. Në një video të publikuar në Youtube, në vitin 2013, kishte thënë se “gjaku i të pafeve është pija më e mirë për ne”.

Prokuroria Speciale ka ngritur edhe aktakuza kundër disa imamëve në Kosovë. Aktakuzë, së fundmi, është ngritur edhe ndaj Shefqet Krasniqit, imam i xhamisë së madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, i cili ndër të tjera dyshohet se “ka nxitur kryerjen e veprave terroriste dhe nxitjen e urrejtjes nacionale, racore, fetare dhe përçarjes etike në periudhën prej vitit 2013 deri në vitin 2014”.

Kosova numëron rreth 800 xhami dhe rreth dymijë të punësuar në Bashkësinë Islame. Ilazi thekson se të gjithë ata janë nën kontrollin e Bashkësisë Islame, me përjashtim të vogël të disa rasteve, siç është xhamia në Dragash, një objekt i improvizuar që funksionon në mënyrë jolegjitime, dhe xhamia në Qyshk afër Pejës, ku imami e ka emëruar vetveten. Për këto objekte janë njoftuar organet e sigurisë.

Lidhur me atë se duhet të ndërpriten tentimet për radikalizim në burgje, ka qenë i qartë edhe ministri i Punëve të brendshme Skënder Hyseni. Por, Skënder Perteshi, analist në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, kohë më parë pati thënë se përhapja e kësaj ideologjie në burgjet e Kosovës, mund të ndodhë lehtësisht.

David Phillips, drejtor i programit për ndërtimin e paqes në Institutin për studimin e të drejtave të njeriut në Universitetin Kolumbia në New York, në një intervistë të mëhershme ka theksuar se burgjet nuk janë zgjidhje për ekstremizmin e dhunshëm, sepse në to krijohen “universitetet” për militantët.

“Burgjet janë problematike, sepse në burgje njerëzit krijojnë kontakte me ekstremistët e dhunshëm. Burgjet në këtë mënyrë shndërrohen në një lloj universiteti për militantët. Këtë e kemi parë në Guatemalë, në Kubë, në qendrat ndëshkuese në Irak dhe në Afganistan. Kështu që, mbyllja nuk është përgjigje për këtë. Ajo që nevojitet është që njerëzve t’u ofrohet shpresa, e ardhmja, shkathtësitë dhe mundësitë ekonomike, në mënyrë që ta kenë ndjenjën se mund të bëjnë diçka me jetën e tyre, përveç asaj që t’i kthehen ekstremizmit fetar”, ka thënë Phillips.

Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se rreth 316 persona nga Kosova kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Afërt, në mesin e të cilëve janë 44 gra dhe 27 fëmijë. Besohet se në zonat e luftës ende gjenden 140 persona, ndërkaq që në Kosovë janë kthyer 117 prej tyre. Proceset gjyqësore ndaj disa prej tyre janë në zhvillim e sipër, ndërkaq që janë shqiptuar disa vendime gjyqësore. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

Drejtësi
Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, kishte dhunuar seksualisht dy vajza nën moshën 14-vjeçare

Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, kishte dhunuar seksualisht dy vajza nën moshën 14-vjeçare

Drejtësi
“Sentinel Lymphnod Biopsy”, pajisje tjetër për SHSKUK nga fondacioni Jahjaga

“Sentinel Lymphnod Biopsy”, pajisje tjetër për SHSKUK nga fondacioni Jahjaga

Lajme
Hapet dyqani i parë social në Prishtinë, Rama: Qytetarët në nevojë mund të furnizohen çdo muaj falas me produkte ushqimore e higjienike

Hapet dyqani i parë social në Prishtinë, Rama: Qytetarët në nevojë mund të furnizohen çdo muaj falas me produkte ushqimore e higjienike

Prishtina
Rënia e Kosovës për 19 vende në indeksin e “Reporterëve Pa Kufij”, reagimet e ambasadës gjermane dhe amerikane

Rënia e Kosovës për 19 vende në indeksin e “Reporterëve Pa Kufij”, reagimet e ambasadës gjermane dhe amerikane

Lajme
Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin

Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin

Muhamet Hajrullahu
Kalo në kategori