LAJMI I FUNDIT:

Racizmi i Milazim Krasniqit dhe mungesa e moralit tonë publik

Racizmi i Milazim Krasniqit dhe mungesa e moralit tonë publik

Duke dëgjuar e lexuar së fundmi deklaratat e Milazim Krasniqit për protestuesit, por sidomos linçimin e tij në adresë të Ilir Dedajt, jam irrituar dhe kam përjetuar një lloj dëshpërimi të llojit të vet për mungesën e moralit tonë publik. Kudo në botën e civilizuar linçime të kësaj natyre do të shkaktonin furtunë reagimesh nga qarqet intelektuale, por edhe nga vet politika.

Po sjell vetëm një rast të një reagimi në Zvicër, në vitin 1998.


Ish profesori im Georg Kreis (Instituti për Studime Evropiane, Universiteti i Bazelit), duke qenë njëkohësisht edhe Kryetar i Komisionit Federal kundër Racizmit (Präsident der Eidg. Kommission gegen Rassismus), angazhohej personalisht dhe në cilësinë e kryesuesit të atij forumi politik dhe moral për mbrojtjen e qytetarëve zviceran nga çfarëdo fyerje publike me elemente racizmi. Atëbotë, një forcë politike zvicerane pati shkruar një parullë në një banderolë më se 100 meta të gjatë, “ALBANERRAUSS” (Shqiptarët jashtë!). Reagimi i Profesor Kreissit ishte i rreptë. Prokuroria qe vënë në lëvizje dhe veprim…

Në këtë ambient të kontaminuar nga amoraliteti politik, pjesë e të cilit proces kontaminues është edhe Milazim Krasniqi, hiq reagimeve të kufizuara në rrjetin social, nuk më rastisi të lexoj ndonjë reagim për të qenë ndaj kësaj gjuhe pështiruese të një kuaziprofesori, siç është MK. Kudo në rrethet progresive politike, ndërkaq gjithandej ku shoqëritë e civilizuara mëtojnë të ndërtojnë shtetin e së drejtës, veprime të kësaj natyre vlerësohen e cilësohen si vepra penale. Ishin teoricienët nazistë ata që më së shumti i dhanë zjarr frymës raciste, duke dërguar në Holokaust mbi gjashtë milionë hebrenj…

Janë këta të ashtuquajtur teoricienë të islamit radikal (përfaqësues i të cilëve ka kohë që promovohet MK), ata që po i përgatitin kombit tonë katrahurën e llojit të vet. Milazim Krasniqit do të ishte mirë t’ia kujtojmë edhe një fakt: sa bijë e bija të personaliteteve tona kanë pasur nënat pjesëtarë të kombësive tjera? Si do të silleshin kjo kategori me pinjollët e Sami Frashërit, Ismail Qemailit, Bekim Femiut, Ferid Muratit…

Le të kujtojmë vetëm një çast faktin se Iliri është njëkohësisht edhe nipi i Xheladin Dedës, njërit nga personalitetet e shkencës dhe mjekësisë sonë. Si specialisti më i njohur i Spitalit të Prishtinës, ai gëzonte respekt të madh. Unë si fëmijë kam pas rast ta njoh, meqë ai si mjek i syve, ma ka operuar babanë. Ai burrë fisnik ishte edhe njëri nga anëtarët e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Me rastin e përvjetorit të 50-të të LRBSH, vet Adem Demaçi ua kujtoj të pranishmëve këtë fakt, duke folur me pietet për personalitetin e Xheladin Dedës.

Pse këtë fakt Milazim K. dhe gjithë horrat si ai, nuk e zënë në gojë fare?

E qartë, ngase ua përmbysë skenarët e agjitpropit politik që kanë në raport me protestat studentëve dhe frymën që po inauguron ky revolucion i filluar tashmë i rinisë sonë.