LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët: Mjaft me lojra për të fituar pikë politike

Qytetarët: Mjaft me lojra për të fituar pikë politike

Qytetarët e anketuar nga Tv Alsat-M në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, vlerësojnë se zhvillimet e fundit në Butel dhe tërheqja e BDI-së janë tentim për të fituar pikë politike para zgjedhjeve të radhës përmes patriotizmit të rrejshëm, transmeton Telegrafi.

“Nuk më habitë asgjë më në këtë komunë. Asnjëherë nuk ka qenë kështu, kjo tash çfarë po ndodh, ne nuk po e kuptojmë”


“Kjo fare nuk ka asnjë vlerë. Kjo që u bë ishte në baza etnike. Qeveria që më herët e ka pasur gabim, ka bërë gabime të mëdha”

“Asgjë nuk është në rregull, s’ka mbetur asgjë të jetë mirë këtu. Të ishte mirë rinia jonë nuk do të ngelej nëpër rrugë, por çfarë të bësh, duhet të durosh atë që po të ndodh”

Qytetarët e Tetovës thonë se BDI dhe VMRO-DPMNE përmes këtyre skenarëve po tentojnë të largojnë vëmendjen e opinionit nga problemet reale që ka vendi.

“Puna e kryqit është çështje politike, është teatër i partive politike në pushtet për ta defokusuar masën – popullin prej gjendjes aktuale politike”

“S’ka koment çfarë do flasësh punë politike”

“Sigurisht se lojë politike është”

“Nikolla Gruevski Ali Ahmeti, krejt ata i bëjnë po të duan e ndalin. Lojë e tyre është qind për qind, nuk ka dyshim, ka pas edhe shembuj të tjerë, Kumanova e tjera probleme, krejt që bëhen prej Qeverisë janë, ata në pushtet që janë ata e bëjnë”

Ndërkohë Kumanovarët thonë se kjo që ndodhi në Butel ishte skenar dhe lojë e partive në pushtet me qëllim nxitjen e tensioneve.

“BDI-ja është një parti që gjithë shqiptarëve prej në Dibër e deri në Llojan u ka dhanë nga një lugë mjaltë. Unë kam qejf gjithë populli shqiptar dhe maqedonas të jenë të lumtur se ne jetojmë në këtë vend, ky është vend edhe i shqiptarëve edhe i maqedonasve, por politikës nuk mundesh me i ra në fije si bohet politika unë nuk jam politikan”

“Këto janë gjëra që nuk kanë skaj ndoshta mundet me qenë lojë politike, tash nuk mundemi me ditë se çfarë përfundimi do të ketë. Duhet të kalojmë mirë si shoqëri për hir të multi-etnicitetit, por këto janë gjëra që ka vendosur ndokush dhe qëllimi nuk i dihet”

Reagimet e qytetarëve vijnë tërheqjes së BDI-së nga vendi ku ishte paraparë ndërtimi i kryqit në Butel./Telegrafi/