ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Rreth 90 persona janë paraqitur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Han të Elezit me simptoma të vjelljes dhe barkqitjes, ndërsa po hetohet nëse rastet lidhen me konsumimin e ushqimit në lokale të gastronomisë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së në Han të Elezit, Bashkim Haziri, ka deklaruar për Telegrafin se rastet kanë nisur të paraqiten gjatë pasdites së 13 korrikut.


Sipas tij, gjatë marrjes së anamnezës nga pacientët, një pjesë e tyre kanë deklaruar se kanë konsumuar ushqim në një fast-food dhe piceri.

“Pardje pasdite janë paraqitur me simptoma, me vjellje dhe barkqitje. Si rezultat i pyetjeve që i kemi parashtruar për anamnezën, na kanë thënë që kanë ngrënë ushqim në një fast-food dhe piceri, që janë bërë sebep”, ka thënë Haziri për Telegrafin.

Ai bëri të ditur se nga 13 korriku deri mbrëmë janë trajtuar rreth 90 raste, ndërsa edhe gjatë ditës së sotme janë paraqitur raste të reja.

“Prej të hënës 13.07.2026 e deri dje mbrëmë kemi pasur 90 raste, deri tash ku po flasim janë edhe 6 raste të reja”, u shpreh Haziri.

Sipas tij, pacientëve u është dhënë trajtim me infuzione, ndërsa disa raste janë referuar për trajtim të mëtejshëm.

“Ju kemi dhënë nga dy-tre infuzione. Tre kanë shkuar në Klinikën Infektive, pasi u është rritur temperatura”, tha ai.

Haziri ka shtuar se një pjesë e rasteve mund të jenë të ndërlidhura edhe me infeksione virale.

“Më shumë janë duke u përzier me virus”, deklaroi ai.

Institucionet shëndetësore janë duke e trajtuar rastin, ndërsa ekipet kompetente janë duke kryer verifikime për të përcaktuar shkakun e këtyre simptomave. /Telegrafi/