LAJMI I FUNDIT:

Qeveria shqiptare miraton në parim protokollet e aderimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë, pritet ratifikimi në Kuvend

Qeveria shqiptare miraton në parim protokollet e aderimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë, pritet ratifikimi në Kuvend

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi në parim protokollet e aderimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë.

Kështu deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë.


Gjatë fjalës së saj, Xhaçka u shpreh se këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend.

“Dhamë zyrtarisht dakordësinë tonë për zgjerimin e Aleancës dhe përfshirjen në të të këtyre dy vendeve. Këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend dhe kur kjo procedurë ratifikimi të jetë kryer në parlamentet e të 30 vendeve anëtare të NATO, por edhe nga parlamentet e vetë Finlandës dhe Suedisë, do të bëhet i mundur pranimi i tyre de jure në Traktatin e Atlantikut të Veriut’, tha Xhaçka.

Ministrja deklaroi se hapi që finalizon anëtarësimin e dy vendeve skandinave është depozitimi i instrumentit të anëtarësimit pranë Qeverisë së SHBA-ve në cilësinë e shtetit depozitues të këtij traktati.

Finlanda dhe Suedia kanë aplikuar zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO. Vendimi i tyre erdhi pas agresionit rus në Ukrainë. /Telegrafi/