LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e Kosovës miraton propozimet për bashkëpunim me Shqipërinë

Qeveria e Kosovës miraton propozimet për bashkëpunim me Shqipërinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimet e ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për Kalendarin e Përbashkët Kulturor mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, i cili nënshkruhet nga dy ministret respektive të Kulturës.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe Marrëveshjen e cila do të nënshkruhet për bashkëprodhime filmike mes Kosovës e Shqipërisë, e cila do të mundësojë bashkëpunimin mes Qendrës Kinematografike të Kosovës me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, që do të shërbejë në prodhimin e filmit dhe forcimin e mëtejmë të lidhjeve kulturore dhe etnologjike midis dy vendeve. Me këtë marrëveshje parashihet edhe ndarja e përbashkët e çmimeve për fushën e kinematografisë.


Gjithashtu, është miratuar edhe Memorandumi i bashkëpunimit, i cili do të nënshkruhet mes Kosovës e Shqipërisë për veprimtarinë botuese dhe librit me qëllim të rritjes së shkëmbimit kulturor në këtë fushë, të qarkullimit të librit dhe të bashkëpunimit të Bibliotekave Kombëtare të të dyja vendeve.

Dumoshi, me rastin e miratimit të propozimeve të MKRS-së nga ana e Qeverisë, tha se janë vendime të cilat do të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit konkret të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës. /Telegrafi/