LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e Kosovës emeton 30 milionë euro letra me vlerë

Qeveria e Kosovës emeton 30 milionë euro letra me vlerë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur Ankandin KV010-16 të emetimit të Letrave me Vlerë, ku u ofertuan Bono Thesari 12-mujore në vlerë nominale prej 30 milionë euro. Shuma prej 25 milionë euro do të shërbejë për ri-financimin e bonos të emetuar në qershor 2015, kurse pjesa tjetër prej 5 milionë euro do të jetë e hyrë buxhetore.

Në këtë ankand tregu shfaqi kërkesë për blerje në vlerë 49.75 milionë euro, kurse ne pranuam vetëm shumën e shpallur paraprakisht e që është 30 milionë euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 0.37% vjetore, gjë që paraqet një dallim prej -4 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të kaluar të bonove 12-mujore, e cila ishte 0.41%.


Arsyet të cilat kanë kontribuar në rënien e normës së interesit janë likuiditeti në sektorin bankar, por edhe siguria e lartë që ka ky investim marrë parasysh qëndrueshmërinë makro-fiskale dhe nivelin e ulët të borxhit që aktualisht ka Republika e Kosovës. Shto këtu edhe faktorët e jashtëm siç janë normat negative për investimin e fondeve në tregjet e jashtme, Letrat me Vlerë të Republikës së Kosovës bëhen mjaft atraktive si investim në valutën euro. Si rezultat, kërkesa për Letrat me Vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjatë këtij viti, secilën herë e ka tejkaluar ofertën e Ministrisë së Financave.

Emetimi i Letrave me Vlerë ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të Shtetit si dhe në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillim ekonomik nga sektori real. Normat e ulëta nënkuptojnë besueshmëri më të lartë në Republikën e Kosovës, por edhe kosto më të lirë të huamarrjes, gjë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në koston e investimeve në projekte zhvillimore.

Blerësit sipas kategorive në ankandin e bonove të Thesarit, Ankandi KV010-16 i emetimit të Letrave me Vlerë të Qeverisë së Kosovës ishin bankat me 16.62 milionë euro si dhe fondet pensionale me 12.53 milionë euro.