Qenve ende ua presin bishtin pavarësisht ndalimit: Moral apo estetikë, kush vendos për pamjen e tyre?

Praktika e prerjes së bishtit te qentë është e ndaluar në shumë vende, por vazhdon ende. Ekspertët theksojnë se bishti nuk është dekor, por pjesë e rëndësishme e komunikimit, ekuilibrit dhe mirëqenies së kafshës
Edhe pse prej kohësh është praktikë e vjetruar, e tejkaluar dhe tashmë e paligjshme, prerja e bishtit vazhdon ende në përditshmërinë e qenve, përkatësisht të pronarëve të tyre, të cilët duke ia hequr këtë pjesë të trupit kafshës së tyre tregojnë qartë se vendosin vetë se si do të duket ajo. Kështu, qeni shndërrohet në objekt në duart e pronarit, i cili vendos për pamjen dhe fatin e tij.
Nga e ka origjinën praktika e prerjes së bishtit te qentë dhe ku ka çuar ajo?
Pse u pritet bishti qenve
Ngjashëm si te prerja e veshëve, arsyet e prerjes së bishtit te qentë kanë qenë të ndryshme. Te qentë e gjuetisë, bishti hiqej për të parandaluar lëndimet gjatë përballjes me kafshë të egra, si dhe që qeni të vraponte më shpejt. Kur bëhet fjalë për qentë luftarakë, synimi ishte që të shmangej dëmtimi i bishtit në kafaz, si dhe të zvogëlohej “sipërfaqja” e trupit që kundërshtari mund ta sulmonte.
Përveç kësaj, prerja e bishtit dhe sidomos e veshëve lidhej me disa përparësi higjienike, por shkenca e ka rrëzuar këtë paragjykim dhe e ka shpallur të pasaktë. Sot, qenit i pritet bishti vetëm sepse pronarit i pëlqen ashtu, pra sepse dëshiron që qeni të ketë pamje më frikësuese ose “cool”. Me fjalë të tjera: vetëm për estetikë, transmeton Telegrafi.

Rregulloret ligjore
Konventa Evropiane për Mbrojtjen e Kafshëve Shtëpiake në vitin 1992 theksoi se, kur bëhet fjalë për ndërhyrjet kirurgjikale te kafshët shtëpiake, ndalohen shprehimisht procedurat që kanë si qëllim të vetëm ndryshimin e pamjes së tyre ose arritjen e ndonjë qëllimi tjetër jo terapeutik.
Ndalohet shprehimisht: shkurtimi i bishtit, prerja e veshëve, devokalizimi (heqja e kordave vokale) dhe heqja e thonjve ose dhëmbëve te kafshët shtëpiake.
Këto procedura lejohen vetëm në rast se veterineri vlerëson se ekziston arsye e bazuar mjekësore dhe se ato bëhen për mirëqenien dhe përmirësimin e shëndetit të kafshës, si dhe për parandalimin e riprodhimit.
Përveç ligjit, shumë organizata veterinare dhe shoqata për mbrojtjen e kafshëve e konsiderojnë këtë praktikë të panevojshme dhe potencialisht të dëmshme. Bishti nuk është pjesë dekorative e trupit, por luan rol të rëndësishëm në komunikimin e qenit, ekuilibrin dhe shprehjen e emocioneve. Me heqjen e bishtit, qeni mund të ketë vështirësi në ndërveprimin social me qentë e tjerë.

A i sjell qenit përfitime në ekspozita bishti i prerë?
Përgjigjja është: jo. Në shumicën e vendeve evropiane, standardet e racave po ndryshojnë gradualisht drejt pranimit të pamjes natyrale të qenve, edhe pse më herët nënkuptohej që qeni të kishte veshë të prerë dhe bisht të shkurtuar.
Kinelogjia moderne nuk u jep pikë shtesë apo ndonjë përparësi të veçantë qenve me bisht të prerë, por vlerëson pamjen e përgjithshme, harmoninë e ndërtimit trupor, lëvizjen dhe temperamentin në përputhje me standardin e racës. Disa kërkojnë që qentë me bisht të prerë dhe veshë të prerë të mos lejohen fare në ekspozita, pasi kjo është e ndaluar me ligj, megjithatë kjo ende nuk respektohet plotësisht.
Racat e qenve te të cilat prerja e bishtit ka qenë më e shpeshtë janë: Doberman, Rottweiler, Cane Corso, Boxer dhe American Staffordshire Terrier.
Sido që të jetë, vendimin nëse qenit do t’i pritet bishti apo jo, për momentin ende e merr vetë pronari. /Telegrafi/



















































