Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”: Beqir Berisha la trashëgimi të çmuar kombëtare

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” në një reagim për ndarjen nga jeta të atdhetarit dhe intelektuali të njohur shqiptar nga Tetova, Beqir Berisha, thuhet se i ndjeri ka lënë pas një trashëgimi të pasur në kulturën dhe mendimin shqiptar.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, vdekjen e Beqir Berishës e cilëson si një humbje të madhe për kombin shqiptar.
Në reagim theksohet se Berisha do të kujtohet si njeri i qëndresës, i dijes dhe i dinjitetit, si dhe për kontributin e tij si filozof, gazetar, autor dhe ish i burgosur politik.
Sipas kësaj qendre, veprimtaria e tij letrare dhe studimore, si dhe angazhimi i vazhdueshëm për fjalën e lirë dhe çështjen kombëtare, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Librat dhe shkrimet e tij, që trajtojnë tema nga aktualiteti kulturor e politik deri te refleksionet filozofike, konsiderohen dëshmi e një jete të përkushtuar ndaj dijes dhe identitetit kombëtar.
Beqir Berisha ishte gjithashtu mbështetës i fuqishëm i kauzës për drejtësi lidhur me gjenocidin në Kosovë. Edhe në ditët e fundit, pavarësisht përballjes me sëmundjen, ai vijoi të qëndrojë pranë librit dhe kërkimit të së vërtetës.
Sipas njoftimit, libri i fundit që ai lexoi ishte romani i të birit, Bardhyl Mahmuti, “Revolta e Syzifit”, i cili trajton krimin e gjenocidit në Poklek të Vjetër.
Në telegramin e ngushëllimit, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” u ka shprehur ngushëllime familjes, të afërmve dhe gjithë opinionit shqiptar, duke vlerësuar figurën e Berishës si një zë të rëndësishëm të kulturës dhe mendimit kombëtar.
Beqir Berisha do të kujtohet si një personalitet që jetën e tij ia kushtoi lirisë, dijes dhe idealit shqiptar.
Publicisti dhe veprimtari Bardhyl Mahmuti ka njoftuar ndarjen nga jeta të babait të tij, Beqir Berisha, i cili është larguar nga kjo botë më 3 maj 2026.
Në njoftimin mortor, familja bën të ditur se varrimi do të mbahet të hënën, më 4 maj, në ora 13:30, në varrezat e Tetovës.
Po ashtu, në mesazhin e tij, Mahmuti thekson se, duke pasur parasysh situatën politike në Maqedoni të Veriut, u bën thirrje bashkëveprimtarëve nga Kosova që të mos ndërmarrin udhëtimin për në varrim apo ngushëllime, për arsye sigurie.

















































