LAJMI I FUNDIT:

PUHI DETARE

PUHI DETARE

Poezi nga: Stephane Mallarme
Përktheu: Aurel Plasari

Ah, mishi është i trishtë! Krejt librat i lëçita.
Të iki, të marr detin! Shoh zogjtë sa zbardh dita
Qysh dehen midis qiejve dhe shkumës që buçet!
Asgjë s’ma ndal dot zemrën të kridhet n’atë det,
As dhe të vjetrat kopshte ngulitur në kujtesë,
O net! As regëtima e llambës në tryezë
Mbi fletën bardhë borë që nuk ka për t’u nxirë,
As nusja që i jep sisë një foshnje të dëlirë.


Ç’përkund më kot direkët në breg, ti avullore?
As ngri më mirë spirancën ndaj visesh përrallore!
Edhe pse e pashpresë, një zemër në zezonë
Ende u beson shamive tek “lamtumirë” i thonë.
Dhe mbase ata direkë, që vetë i ftojnë stuhitë,
Mbi po ato anije do thyhen ndonjë ditë
Tek kridhen ndër humnera pa ishuj shpëtimtarë.
Por pa dëgjo, o zemër, ç’këndojnë do detarë!