eksperti-banner

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve të rregullta në një depo doganore të autorizuar në rajonin e Mitrovicës, janë identifikuar parregullsi lidhur me gjendjen dhe administrimin e mallrave të depozituara nën mbikëqyrje doganore.

Sipas njoftimit, gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe krahasimit me gjendjen fizike në depo, është konstatuar se një pjesë e mallrave kishte tejkaluar afatin e përdorimit.


Bëhet fjalë për 19,875 kilogramë produkt ushqimor me bazë yndyre bimore, për të cilin është konstatuar se ka qenë i skaduar.

Për këtë rast është njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyrtarët e së cilës kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konfirmuar gjendjen, duke urdhëruar asgjësimin e mallit në përputhje me procedurat ligjore.

Mallrat e skaduara janë larguar nga depoja doganore dhe janë transferuar në hapësirat e përcaktuara përkatëse, deri në përfundimin e procedurave për asgjësim.

Gjatë kontrollit është evidentuar gjithashtu një mospërputhje në stok, ku kanë munguar 5,450 kilogramë mallra që figuronin në dokumentacion, por nuk janë gjetur fizikisht në depo.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur procedura administrative dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.

Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e interesave fiskale, sigurinë e konsumatorëve dhe zbatimin e ligjit në të gjitha procedurat doganore.