LAJMI I FUNDIT:

Puçi ushtarak i dajës Metë

Puçi ushtarak i dajës Metë

Ky është një tregim i vërtetë për puçin ushtarak apo kundërrevolucionin e vitit 1909 në Stamboll. Tregimi është i bazuar në dëshmitë e një ushtari pjesëmarrës (shqiptar) dhe përputhet me dokumentet arkivore të Stambollit dhe Londrës. Shkrimi, nga studiuesi dhe publicisti Daut Dauti, është shkruar ekskluzivisht për Telegrafin.

daut dauti3


Daut Dauti

Diku kah fundi i viteve të ‘60-ta shkoja shpesh te dajtë. Atëherë nuk kishe ku të shkoje më mirë se të ta. Pos gjërave tjera, te dajtë më pëlqente t’i dëgjoja tregimet e një kushëriri të nënës time, dajës Metë. Ai përjetimet e tija nuk m’i tregonte mua, por unë rrija aty dhe dëgjoja me kujdes kur ua tregonte të tjerëve të cilët me siguri, sikur edhe unë, i kishin dëgjuar disa herë. Unë isha diku 7-8 vjeç, kurse ai i kishte 80, por mua më dukej sikur t’i kishte më shumë se 100.

Tregimet e dajës Metë për mua ishin filma. Ai ka qenë një njeri me aftësi të rralla rrëfyese. Para se t’ia niste tregimit, merrte frymë thellë, e tundte kokën disa herë majtas-djathtas dhe e krijonte momentin dramatik të çudisë dhe pritjes. Fliste me një gjuhë herë homerike e herë shekspiriane, siç i mësova unë këto terme më vonë. Tregimet e tija kishin të bëjnë me situatat dramatike të kohës së tij, që e kishte kaluar si ‘asker i mretit’. Kishte shërbyer në Ushtrinë otomane, me siguri nga viti 1906 e deri më 1912.

Daja Metë shumicën e kohës e kishte kaluar me njësitë shqiptare në Jemen. Tregimet e Jemenit kishin të bëjnë me arabët si personazhe të rrezikshme, të cilët, me shpata në dhëmbë dilnin nga zalli për t’i sulmuar ‘askert e mretit’. ‘Ama na, ata i palojshim pushkë, njo ka njo. Ju flejke plumi’, e shpjegonte daja Metë përleshjen e armatosur me kryengritësit jemenas.

Një tregim që më ka mbetur në kujtesë deri sot, dhe për të cilin atëherë nuk kam patur aspak ide për rëndësinë apo përmasat historike, ka qenë një ngjarje ushtarake në Stamboll. Përafërsisht, daja Metë këtë tregim e shpjegonte kështu:

‘Erdhën ni ditë do oficerë n’kasarne. Na dajtën veç neve shiptarëve e na thanë se po e nrrojnë hyqmin për mu ba mirë për neve. Na murrë ni zabit, mos rrejsha, u konë dikun pi Struge. A, emnin, Shemsi e ka pasë. Kryt n’tavan i prekke dhe tyrqen e dike ezber. Me shkollë, i knushëm ai, bezbeli. U banëm na nja 200 askerë, po. Na qoj te ura e Gallatës. Aty edhe nja 200 a 300 tjerë ishin konë. E rujshin urën dhe denizin. Kreeejt shiptarë (në këtë moment daja Metë e zgjaste zërin dhe e shtrinte dorën përpara sikur donte ta shpjegonte madhësinë e ndonjë deti).

Kqyrni mirë – na tha – këtu njeri i gjallë nuk duhet me kapërcy… Tri ditë t’mira nejtëm na aty. Te ura. As llagjet nuk guxojshin m’u afru se ja kris’shim pushkë na. Veç naj zabit t’madh qi e lshojshim me kapërcy. A miletin, jo. Hiq. Tak. Ama edhe mileti nuk ardhke atypari se e murr vesh që na pe rujmë urën. Mas tri dite, mu m’çun me rujtë te dera e ni japie t’hyqmetit. Aty nja 20 askerë t’kahmosit, ama krejt shiptarë edhe ata. U nrrojshim tri her n’dite. Edhe bukën na e prushin shiptart. Turli jemeki. Krejt pi ashqihaneve t’shehrit, jo prej kasarnes.

Tani m’çun te saraji sulltanit. A, aty, s’kish çka me pa njeri, veq xhenet. Bahshqja plot lula. Turli hyrije e turli zotnie hike e dalke. Mas nja 10 ditëve na kthyn n’kasarne se thanë që po vjen ni askeri tjetër e madhe pi anës tonë, demek pi Kosove e Makedonije. Na thanë mos mu ngucë e mos me ba fjalë me ta edhe n’u zatetshim dikun’.

Sipas llogarisë së dajës Metë, kur ai e kthente kalendarin nga ‘alla turka’ në ‘alla franga’ , del që kjo ngjarje ka ndodhur në prill të vitit 1909. Ngjarja përputhet me momentin historik të kundërrevolucionit xhonturk që përfundoi me një puç ushtarak të përkohshëm, po ashtu të përzier me elemente grusht shteti, në Stamboll.

Në fillim të prillit 1909, në Stamboll ndodhi një ngjarje që kishte të bëjë me shqiptarët dhe që u bë shkas i kundër revolucionit xhonturk. Me 6 prill (1909), xhonturqit, të cilët ishin në pushtet, vranë Hasan Fehmi Beun, kryeredaktorin e gazetës Serbestî. Hasan Beu ka qenë shqiptar i cili në gazetën e tij i kritikonte xhonturqit dhe i mbronte idetë e deputetëve shqiptarë në parlamentin otoman. Në varrimin e Hasan Beut morën pjesë mbi 5000 veta dhe ky rast shërbeu si një nga shkaqet për nisjen e kundërrevolucionit i cili ishte fermentuar javëve të fundit.

Xhonturqit tani më i kishin nisur t’i shkelnin premtimet që ua kishin dhënë shqiptarëve para se të vinin në pushtet në dhjetor të vitit 1908. Kjo gjë i kishte brengosur shqiptarët tej mase dhe kjo ishte arsyeja që ata filluan t’i lëshonin radhët e xhonturqve.

Në mëngjesin e 13 prillit një njësi ushtarake e përbërë nga oficerë dhe ushtarë shqiptarë kishte rrethuar parlamentin otoman. Literatura historike dhe shënimet diplomatike britanike nga Stambolli bëjnë me dije se këto trupa ushtarake shqiptare kishin vepruar me urdhër të Ismail Qemalit.

Kapja e Parlamentit ishte sinjal për fillim të kundër revolucionit. E tërë vija që lidhte institucionet shtetërore perandorake që nga Yeldizi, Dollmabahqe, e deri matanë Taksimit, brenda natës kishin rënë në duart e ushtarëve shqiptarë, siç tregonte edhe daja Metë.

Njësitë tjera ushtarake në Stamboll nuk e kishin penguar këtë veprim të ushtarëve shqiptarë dhe kishin vazhduar të qëndronin në kazerma.

Populli, të nesërmen, kishte dalur në rrugë për ta përshëndetur këtë akt të shqiptarëve dhe për të përkrahur puçin apo grusht shtetin që po e udhëhiqte Ismail Qemali në emër të Ahrar-it që dominohej nga liberalët. Këtyre iu bashkuan edhe një grup i rëndësishëm i deputetëve radikalë religjiozë. Kur këta deputetë e kishin siguruar shumicën, ishin mbledhur në Parlament dhe kishin hartuar dhe aprovuar një dokument që përmbante 6 pika. Pikat esenciale ishin pika 3 dhe 4, që thoshin:

‘3. Ahmed Riza, kryetari i Parlamentit, duhet të shkarkohet dhe të zëvendësohet me Ismail Bey Qemalin;

4. Të përjashtohen nga kryeqyteti të gjithë udhëheqësit e Komitetit për Përparim dhe Bashkim (Xhonturqit)’.

Menjëherë pas kësaj deklarate, ushtarët shqiptarë kishin hyrë nëpër zyrat e Parlamentit dhe institucioneve tjera shtetërore për të kërkuar Ahmed Rizën me qëllim që ta ekzekutonin. Por, Ahmed Riza, një antishqiptar i njohur, ishte fshehur ose e kishte lëshuar Stambollin dhe nuk gjendej dot. Ushtarët puçistë shqiptarë e vranë gabimisht një deputet duke menduar se ishte Husein Gjahidi, kryeredaktori i gazetës Tanin që ishte organ i xhonturqve dhe bënte propagandë antishqiptare. Pastaj, ushtarët i dogjën deri në themel zyrat e Taninit dhe të një gazete tjetër të quajtur Shura i Ummet e cila po ashtu ishte pro xhonturke dhe antishqiptare. Këto ishin tërë masat që i ndërmorën kundër revolucionarët me ndihmën e ushtarëve shqiptarë.

Ky puç i trazoi thellë xhonturqit të cilët përsëri do të vinin në pushtet me anë të shqiptarëve që ende besonin në premtimet e tyre. Kjo i shtyri dy shqiptarët, Nijazi Beun dhe Enver Beun, dy heronjtë e revolucionit xhonturk, që të aktivizoheshin sërish për të mbrojtur kushtetutën dhe vlerat e revolucionit që kishte ngadhënjyer me meritat e tyre.

Atyre ditëve, Enver Beu kishte qëlluar në Selanik kurse Nijazi Beu në Resnë, në vendlindjen e tij. Që të dy, me shpejtësi të madhe, mobilizuan mijëra shqiptarë dhe iu bashkuan forcave otomane të Korpusit të Tretë që ishte i vendosur në Selanik e që komandohej nga Mahmut Shefket Pasha. Shqiptarëve iu bashkuan edhe njësitë e Bajram Currit dhe të Çerçiz Topulli me 8000 veta, kurse Nijazi Beu me vete solli edhe 1800.

Për të kontribuar në komplikimin e situatës, Isa Boletini, i cili gjithmonë bëhej merak për sulltanin, kishte çu fjalë në Stamboll se do t’ju shkonte në ndihmë kundër revolucionarëve të udhëhequr nga Ismail Qemali dhe me vete do të merrte djemninë e Kosovës. Boletini kishte bërë me dije se rrugës, në Manastir, do t’i bashkohej edhe Garda e Sulltanit, tradicionalisht shqiptare, të cilën xhonturqit e kishin larguar nga Stambolli me qëllim që ta dobësonin sulltanin dhe zhduknin influencën e shqiptarëve.

Në shikim të parë të gjitha shenjat bënin me dije se do të fillonte një luftë civile ndërshqiptare pasi që shqiptarët ishin zotuar se do të luftonin në të dy anët. Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Me siguri për shkak që Ismail Qemali i kishte porositur ushtarët shqiptarë puçistë që të mos rezistonin, të cilën gjë e thoshte edhe daja Metë.

Forcat xhonturke hynë në Stamboll me 24 prill dhe e morën pushtetin pa shkrepur asnjë plumb. Ismail Qemali, i cili luajti një rol esencial në organizimin e kundër revolucionit, u largua nga Stambolli me ndihmën e britanikëve dhe dinastisë Khedive shqiptare të Egjiptit. Xhonturqit kërkonin ekzekutimin e tij por kjo nuk mund të realizohej pasi që ndikimi i shqiptarëve në Stamboll ishte i madh. Brenda pak ditësh Ismail Qemali u kthye në Stamboll dhe vazhdoi aktivitetin e udhëheqësit të opozitës në parlament sikur që nuk kishte ndodhur asgjë më parë.

Por, i tërë ky konfuzion që krijoi ky lloj puçi apo grusht shteti, shkaktoi frikë të xhonturqit të cilët menjëherë ndërmorën masa drastike për të ndryshuar strukturën e pushtetit.

Me 27 prill 1909 xhonturqit morën vendim për largimin e sulltan Abdyl Hamitit II nga froni pasi që ai ishte qendra e burimit të pushtetit dhe rreth të cilit silleshin shqiptarët. Atë ditë (27 prill) xhonturqit dërguan një delegacion prej katër anëtarëve (dy shqiptarë, një armen dhe një hebre) te sulltani për t’ia komunikuar vendimin e kobshëm. Njëri nga të dërguarit ishte Esat Pashë Toptani. Kur delegacioni kishte hyrë në pallat e kishte gjetur sulltanin duke u dridhur nga frika. Esat Pasha ishte ai që ia komunikoi vendimin sulltanit duke i thëne: ‘Abdyl, populli ka vendosë që të largohesh nga sulltanati’. Në ato momente të vështira, sulltani, i cili gjithmonë e kishte favorizuar tej mase familjen Toptani, ishte dëgjuar duke pëshpëritur: ‘Ti je njeriu më i keq që kam njohur në jetën time’.

Ndërrimi i sulltanëve u bë me një ceremoni të shpejtë. Abdyl Hamiti u zëvendësua nga vëllai i tij Mahmuti V. Ushtarët shqiptarë edhe në këtë ceremoni e luajtën rolin kryesor. Nën komandën e Nijazi Beut, një batalion i ushtarëve shqiptarë e organizoi tërë programin dhe e siguroi rrugën nga pallati e deri te vendi i ceremonisë.

Dhe, kështu ndërrimi i pushteteve, i sulltanëve dhe revolucioneve e kundërrevolucioneve u bë shumë shpejt dhe me fare pak viktima dhe dëme minimale materiale. Për fat të keq këtë gjë sot nuk mund ta bëjnë turqit. Ndoshta turqit ende kanë nevojë për ndihmën e politikanëve dhe oficerëve shqiptarë. Ndoshta më shumë kanë nevojë për ushtarë shqiptarë siç ishte daja im, Meta, i cili kur ruante urat dhe ‘japiat e hyqmetit’ nuk guxonte kush të afrohej atypari. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Lajme
Perez po e bën atë që askush nuk e ka bërë deri më tani – krijon

Perez po e bën atë që askush nuk e ka bërë deri më tani – krijon "një strukturë të re të pronësisë" të Real Madridit

La Liga
Dy vite më parë arritën marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francez Rafale, gjashtë prej tyre ateruan në Zagreb të Kroacisë

Dy vite më parë arritën marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francez Rafale, gjashtë prej tyre ateruan në Zagreb të Kroacisë

Kroacia
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Nga rrahja e kryetarit të ‘Intelektualëve’ deri tek dërgimi i Valon Zymberit dhe dy personave tjerë në mbajtje – e gjithë situata

Nga rrahja e kryetarit të ‘Intelektualëve’ deri tek dërgimi i Valon Zymberit dhe dy personave tjerë në mbajtje – e gjithë situata

Superliga
Donaldi fluturon me helikopter mbi shtëpinë e BBVA për t'i bërë befasi Romeos, tregon se si duket shtëpia e famshme nga lart

Donaldi fluturon me helikopter mbi shtëpinë e BBVA për t'i bërë befasi Romeos, tregon se si duket shtëpia e famshme nga lart

Magazina
Kalo në kategori