Mediat amerikane kanë publikuar informacionin se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u largua fshehurazi nga Turqia me një fluturim ushtarak, ndërsa tani është shfaqur edhe një video e këtij operacioni të pazakontë të sigurisë.

Gjithçka ndodhi derisa lideri turk ndodhej në kryeqytetin turk, ku po merrte pjesë në samitin e NATO-s me liderë botërorë.


Trump kishte arritur në Turqi me Boeingun e ri 747-8, të cilin Katari ia kishte dhuruar SHBA-së. Ky ishte fluturimi i parë ndërkombëtar i Trumpit me këtë aeroplan si president. Megjithatë, gjatë largimit, para kamerave televizive, ai hipi në avionin e vjetër Air Force One, duke thënë se dëshironte të fluturonte me të “për hir të kohëve të vjetra”.

Vetëm disa minuta më vonë, Trump u transferua fshehurazi në një avion më të vogël C-32A, një Boeing 757 i modifikuar.


Operacioni u realizua duke përdorur një kamion për transportin e ushqimit në aeroport. Kontejneri i kamionit u ngrit me anë të një sistemi hidraulik deri te dera e avionit, në anën që ishte e fshehur nga mediat.

Air Force One-i i vjetër më pas u ngrit në ajër si aeroplan mashtrues, ndërsa gazetarët dhe një pjesë e stafit të Shtëpisë së Bardhë besonin se 80-vjeçari ndodhej në atë fluturim.

Madje, atyre u ishte thënë që gjatë fluturimit t’i mbanin të mbyllura perdet e dritareve të aeroplanit, një masë e pazakontë sigurie.

Të dy aeroplanët përfundimisht u ulën në Britani të Madhe, me vetëm disa minuta diferencë.

Vendndodhja e vërtetë e Trumpit iu fsheh gazetarëve dhe disa anëtarëve të stafit të Shtëpisë së Bardhë. Sipas një zyrtari amerikan, arsyeja për aktivizimin e këtij operacioni mashtrues ishte një kërcënim i besueshëm ndaj Trumpit, i cili lidhej me Iranin. /Telegrafi/