LAJMI I FUNDIT:

Psikologët e diplomuar në UP kërkojnë punë në MASHT

Psikologët e diplomuar në UP kërkojnë punë në MASHT

Një grup i psikologëve të diplomuar në nivelin bachelor e master në Universitetin e Prishtinës, kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke kërkuar punësim nëpër shkolla të nivelit parauniversitarë në vendin tonë.

Një nga përfaqësueset e psikologëve, Arlinda Krasniqi, tha se nuk u ka mbetur rrugë tjetër për punësim vetëm të protestojnë para MASHT-it.


“E gjithë kjo protestë ka ardhë si rrjedhojë e një zhgënjimi dhe një pakënaqësie nga ana e psikologëve të diplomuar ndaj MASHT-it e cila çdo vit e më shumë nuk po hap konkurse nëpër komunat dhe shkollat për psikolog. Kështu ka ndodh edhe këtë vit edhe në vitet paraprake”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, psikologu tjetër Labinot Dervishaj, është shprehur se psikologu në shkollë është shumë i rëndësishëm për shëndetin psikik e mendor të nxënësve.

“Psikologu e bënë promovimin e shëndetit mendor, fizik dhe psikik të nxënësve, kontribuon në ngritjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies, gjithashtu psikologu merret edhe me raste të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe gjithashtu kontribuon shumë në gjithpërfshirjen dhe integrimin e fëmijëve brenda arsimit të rregullt, një situatë, një plan apo strategji që e ka edhe vet MASHT-i integrimin e këqyre fëmijëve brenda arsimit të rregullt”, ka deklaruar ai.

Pas një pritje të shkurtër para ndërtesës së MASHT-it në kryeqytet, disa përfaqësues të tyre janë pritur nga ministri Arsim Bajrami dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilëve u ka premtuar se do të kërkojë zgjidhje nga të gjitha institucionet e vendit për këtë çështje.

Këshilltari i ministrit, Lah Nitaj, ka thënë para mediave se ministri është zotuar që të rritet buxheti për komunat për vitin e ardhshëm në mënyrë që një pjesë e tij të ndahet për punësimin e një numri të psikologëve.

Pas takimit me ministrin dhe kabinetin e tij të psikologëve, grupi prej dhjetëra studentëve në kësaj fushe janë shpërndarë të qetë. /kp/