PSG gati “bombën” e verës: Chelsea vendos çmim marramendës për Enzo Fernandez

Paris Saint-Germain po përgatit një ofertë të madhe verore për mesfushorin e Chelseat, Enzo Fernandez, por “Blutë” kanë vendosur një çmim shumë të lartë për reprezentuesin e Argjentinës, që varion nga 100 deri në 140 milionë euro.
Me kontratën e tij të vlefshme deri në vitin 2032, Chelsea ndodhet në një pozitë shumë të fortë për të kërkuar një shumë të konsiderueshme për njërin nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa çdo marrëveshje e mundshme do të renditej ndër transferimet më të mëdha të afatit të ardhshëm kalimtar.
PSG ka shfaqur interes konkret për fituesin e Kupës së Botës dhe tashmë ka pasur kontakte joformale me përfaqësuesit e lojtarit, megjithatë ende nuk është dorëzuar asnjë ofertë zyrtare.

Kampionët e Francës e pranojnë se transferimi i Enzo Fernandez nuk do të jetë aspak i lehtë, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e kontratës së tij në “Stamford Bridge” dhe vlerësimin e palëkundur të Chelseat.
Real Madridi, i cili më herët ishte lidhur me ish-yllin e Benficas, ka hequr dorë nga ndjekja e tij, duke e lënë PSG-në si pretenduesen më serioze në këtë fazë./Telegrafi




















































