eksperti-banner

- Pasaportat do të krijojnë tensione politike në rajon -

Duke iu falënderuar marrëveshjes së re për heqjen e vizave, së shpejti në rrugicat e vendeve anëtare të BE-a, do të lëvizin të rinj që vijnë prej pjesëve të ish-Jugosllavisë – por jo nga Kosova, Bosnja dhe Shqipëria.

Kjo gjendje është duke krijuar tensione politike. Vizat për shumë kohë kanë qenë pikë neuralgjike në rajonin e Ballkanit.

Me hyrjen në fuqi, marrëveshja do t'u mundësojë qytetarëve të këtyre shteteve qasje të lirë në zonën e Shengenit, që përbëhet prej 25 shteteve, përfshirë gati të gjithë anëtarët e rinj të BE-së, plus Zvicrën, Norvegjinë dhe Islandën. Para luftërave të viteve '90, jugosllavët nuk kishin nevojë për viza kur udhëtonin në Evropë.

Qeveritë e shteteve të Ballkanit një kohë të gjatë e kanë qortuar Politikën e BE-së, duke i fajësuar se ata po i pengojnë.

Mirëpo, me këtë qortim nuk janë pajtuar ministrat e Brendshëm të BE-së, të frikësuar nga krimi i organizuar, trafikimi i drogës dhe i njerëzve. Debate të tilla janë zhvilluar një kohë të gjatë madje kundër argumenti ishte se vështirë që kriminelët presin në radhë për viza, pasi ata mund t'i blejnë, apo t'i falsifikojnë ato, prandaj rregullorja e vizave i ndëshkon vetëm njerëzit e thjeshtë dhe biznesmenët e ndershëm.

Për të arritur deri te heqja e vizave është dashur të bëhet një punë jashtëzakonisht e madhe, hapi i parë i së cilës ka qenë futja në përdorim e pasaportave moderne biometrike.

Sidoqoftë, jehona politike e këtij vendimi ka filluar të ndihet menjëherë. Në Ballkan, vizat dhe pasaportat nuk janë një teknicitet i thjeshtë, por çështje e politikës së lartë. Prandaj, vendimi i komisionit do të thotë se boshnjakët, shqiptarët dhe kosovarët e përjetojnë këtë si margjinalizim.

Një hidhërim i veçantë ekziston brenda Bosnjës. Boshnjakët (myslimanët e Bosnjës) nuk mund të udhëtojnë të lirë, për dallim prej kroatëve të Bosnjës, të cilët i kanë shfrytëzuar për një kohë të gjatë pasaportat e Kroacisë, të cilave vizat u janë hequr vite më parë. Serbët e Bosnjës mund të aplikojnë me shumicë për pasaporta të Serbisë. E gjithë kjo e dobëson shtetësinë fraxhile (e brishtë) të Bosnjës.

Madje sot Boshnjakët thonë se është çmendi që një i arratisur si Ratko Mlladiç, i akuzuar për vrasjen e rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, në vitin 1995, teorikisht tash mund të lëvizë i lirë me pasaportë të Serbisë, derisa të afërmit e viktimave nuk mund ta bëjnë këtë.

Prapëseprapë, boshnjakët dhe qytetarët e Shqipërisë e dinë se është vetëm çështje kohe kur edhe ata do të kualifikohen për heqjen e vizave. Por, jo edhe kosovarët, të cilët ende duhet të fillojnë të punojnë me BE-në për këtë proces.

Çështjet komplikohen pasi Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk mund t'u refuzojë kërkesat për pasaporta serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë aty. Mirëpo, si pjesë e marrëveshjes me Serbinë për heqjen e vizave, ata i përjashton BE-ja.

Për këtë arsye, pasaporta e Serbisë do të jetë më pak e vlefshme për një kosovar, sesa për një boshnjak.

Nëse Serbia dhe Kroacia mund të lëshojnë pasaporta në Bosnje, pse s'mundet Shqipëria t'u japë pasaporta shqiptarëve të Kosovës? Dikush mund të fillojë ta parashtrojë edhe pyetjen: "Pse shqiptarët duhet të jenë të ndarë në dy shtete?". Anomalitë burokratike mund të kenë pasoja të mëdha, prandaj BE-ja duhet ta mendojë mirë edhe këtë çështje si zgjidhje të domosdoshme për të mos krijuar tensione politike.


Kriza financiare
Miratimi i pakos financiare nga BE për Ballkanin
Serbia përfituesja kryesore

Komisioni Evropian ka miratuar një pako të konsiderueshme ndihmash financiare për vendet e Ballkanit, si: Shqipëria, Kosova, Kroacia, Maqedonia, Bosnja Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia, në vlerë prej 261 milionë dollarë ose 185 milionë euro.

Për të përfituar nga kjo pako e Komisionit Evropian vendet duhet të bien dakord me programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Brukseli ka vendosur edhe kushte te tjera specifike përpara marrjes së kësaj shume, dhe ato kushte fokusohen ne reformat afatshkurtra ne menaxhimin e financave publike dhe në punën e bërë për integrimin e vendit në Bllokun e 27-ës.
Serbia do të duhej të sigurojë Bashkimin Evropian se është përqendruar edhe në pasaportat biometrike dhe në menaxhimin e kufijve, në respektimin e të drejtave themelore, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kjo shumë do te nisë te shpërndahet në dy etapa, duke filluar nga vjeshta e këtij viti dhe duke përfunduar në gjysmën e parë të vitit 2010.

Pakon me të madhe të ndihmës do ta marrë Serbia, 141 milionë dollarë ose 100 milionë euro për lehtësimin e krizës buxhetore dhe për stabilizimin e ekonomisë.

Kurse për Kroacinë, Maqedoninë, Shqipërinë, Bosnjën, Malin e Zi, Kosovën dhe Turqinë, Komisioni Evropian miratoi pakon e përbashkët ndihmëse prej 85 milionë eurosh ose e përkthyer ne dollarë rreth 120 milionë USD.

Sipas BE-së, ndihma për Turqinë dhe për vendet Ballkanike synon të mbështesë sektorin bankar dhe shtimin e vendeve të punës, ndërsa nga ndihma financiare do të përfitojë Evropa në tërësi, sepse bizneset evropiane i kanë rritur ndjeshëm investimet në rajon gjatë dekadës së fundit.

A është ky një presion me standarde të dyfishta?

- Për Serbinë e cila është nxitëse e problemeve për rajonin, që t’i plotësojë kushtet dhe kriteret e pranuara nga BE- duhet përfituar më shumë për stabilitetin e Ballkanit dhe
- Për vendet tjera që të angazhohen më shumë në reforma si kusht për integrime evropiane.

Ballkani duhet të përfshihet në Evropë

Bashkimi Evropian po e përgatit një “mekanizëm” të ri për procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në vjeshtë do të vërtetohet qartë se BE-ja nuk heq dorë nga ky synim.

Duke vërejtur se ndarja e Ballkanit mund të rrisë pabarazitë e përçarjet në rajon, zyrtarë dhe diplomatë në Bruksel, janë deklaruar se të 27 vendet anëtare të BE-së, konsiderojnë se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor përsëri duhet të theksohet, ndoshta me një deklaratë politike të veçantë ose me konkluzat e Këshillit të Ministrave të BE-së.

Një proces të tillë fuqishëm po e mbështesin edhe Shtetet e Bashkuara, pasi në Uashington janë të bindur se kjo do t’i kontribuojë stabilitetit në gjithë Evropën.

Para pak ditësh zv/ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Beograd, Xhenifer Bras është deklarua se:”Qëllimi kryesor i administratës së presidentit amerikan Barak Obama në Ballkan është Serbia e suksesshme në rajonin e suksesshëm dhe në Evropën e suksesshme”.

Bras ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me “tërë ndikimin, energjinë dhe kapacitetet” që Serbia sa më shpejt të hyjë në Bashkimin Evropian.

NATO dhe BE
Zgjidhjet dhe sfidat që i presin

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen e pranon se e presin shumë sfida dhe një ndër to është edhe situata aktuale në Kosovë ku synon reduktimin e misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, që udhëhiqet nga NATO-ja.

Kosovën NATO nuk e sheh si vatër të krizës, por një rajon të qetë e stabil dhe ka qëllim të qartë: deri në fund të mandatit të z. Rasmusen, dëshirohet ta shohë KFOR-in e reduktuar në një forcë të vogël të reagimit, ose dalje të të gjithëve së bashku.

Z. Rasmusen e presin edhe sfidat e tjera gjatë mandatit të tij:

Kriza në Afganistan, ku sipas raporteve, trupat e jashtme po ballafaqohen me periudhën më vdekjeprurëse, prej vitit 2001, ndërsa synim afatgjatë duhet të jetë lëvizja drejt transferit të përgjegjësive për siguri tek afganët.

Rusia, NATO-ja duhet të zhvillojë partneritet të vërtetë strategjik me Rusinë.
Vendet e para të cilat do t'i vizitojë sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Anders Forg Rasmusen do të jenë Greqia dhe Turqia,duke vënë me theksin në përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet Aleancës dhe Bashkimit Evropian.

Prioritet për të do të jetë edhe zgjidhja e pengesave të cilat krijohen lidhur me problemin e Qipros. Kjo është çështje që do të bisedohet me autoritetet e Greqisë dhe të Turqisë, gjatë vizitave që do t’i bëjë në ato shtete.

Sipas Brukselit mendohet se Turqia e pengon realizimin e planeve për politikë të përbashkët mbrojtëse evropiane, sepse nuk e miraton faktin që Qiproja merr pjesë në atë proces, ndërsa nuk është anëtare e Aleancës.

Maqedonia në NATO e BE, jo pa zgjidhur problemin me emrin

Emri i Maqedonisë; Z. Rasmusen paralajmëroi se do të punojë në gjetjen e zgjidhjes për kontestin me emrin ndërmjet Athinës dhe Shkupit, gjë e cila e pengon pranimin e Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Në prill të vitit që shkoi, Greqia bllokoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO për shkak të kontestit të emrit, gjatë Samitit të Aleancës në Bukuresht.

Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere theksoi se është shumë herët të jepet vlerësim për gjasat që Maqedonia të marrë një datë të saktë të fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Komisionari për Zgjerim, Olli Rehn, ka theksuar se Komisioni Evropian ka disponim të japë rekomandim për fillim të negociatave, por për ta bërë atë, gjithsesi se i duhen argumente maksimale, në mënyrë që t'u tregojë shteteve anëtare se vendi ka kryer pjesë të rëndësishme të punëve. Shpresojmë se në periudhën e ardhshme do të ndërmerren hapa për t'u realizuar kjo.

Ministrja e Greke e Punëve të Jashtme, Dora Bakojanis, ka paralajmëruar veto të dytë për Maqedoninë, por Fuere u deklarua se vlerësimi i Komisionit Evropian, bazohet vetëm në përmbushjen e përcaktimeve, por megjithatë, vendimin politik për atë e mban Këshilli i BE-së.

Znj. Kondoliza Rajs, në kohën kur ishte sekretare shtetërore e SHBA-ve, në një takim të NATO-s, duke bërë humor u pat deklaruar se emri i ri duhet të jetë “Republika e milingonës Jugafrikane” dhe kështu do të vijë në radhë që të vendoset në tavolinën e bisedimeve.

Por si duket kjo çështje nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë dhe z. Rasmusen nuk do të jetë imun nga propozimi, edhe pse në atë kohë është qeshur me të madhe.

Por, çështja e emrit të Maqedonisë ka shpënë në një ngrirje të marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.

Greqia që kundërshton që shteti të quhet me këtë emër, në Samitin e Bukureshtit vuri veton duke i refuzuar kështu Maqedonisë të drejtën për tu bërë anëtare e NATO-s. Pala maqedonase nuk pranon në asnjë mënyrë ndërrim të emrit sipas kërkesave të Greqisë, ndërkohë që është hedhur ideja dhe për referendum.

Greqia do të vazhdojë bllokimin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE nëse nuk gjendet një zgjidhje lidhur me mosmarrëveshjet për emrin mes Athinës dhe Shkupit.

Zgjidhja e çështjes së emrit është e domosdoshme për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë, ajo do të hapte rrugën për një bashkëpunim të ardhshëm me BE-në.

Greqia mendon se Shkupi me politikën që po bën, vetë po pengojnë integrimin euroatlantik të qytetarëve të tyre, sepse sipas tyre qëndrimin e Greqisë lidhur me mosmarrëveshjet për emrin e kanë pranuar edhe partnerët e saj ndërkombëtarë si në Bukuresht, në Samitin e NATO-s, ashtu edhe në Bruksel, në kuadër të BE-së.

Tani Maqedonia mund të rrezikohet edhe nga vetoja e dyfishtë në lidhje me anëtarësimin e saj në Unionin Evropian, nëse nuk respektohen të drejtat e bullgarëve në Maqedoni.

Qeveria Bullgare mendon se shtetasit bullgarë në Maqedoni vuajnë mungesën e respektimit të të drejtave themelore, duke e marrë si shembull konkret burgosjen e shtetases bullgare Spaska Mitrova, e cila mendohet se është duke vuajtur dënimin në Maqedoni vetëm se është bullgare.

Madje Qeveria Bullgare mendon se ka edhe fakte të tjera të cilat rrisin dyshimin se qytetarët bullgarë si dhe qytetarët maqedonas me vetëdije bullgare, janë pre e presionit administrativ dhe policor dhe të presioneve tjera vetëm për shkak të përkatësisë nacionale.

Kështu përveç vetos së Greqisë lidhur me çështjen e emrit, Maqedonia rrezikon të përballet edhe me një veto të dytë që do të bllokojë integrimin e saj në strukturat euroatlantike.

Këshilli i Evropës i ka bërë thirrje disa herë Maqedonisë të zgjidhë mosmarrëveshjet dhe të angazhohet në plotësimin e standardeve, ndryshe integrimi në NATO e BE do të jetë i pamundur.

Duke e parë rrezikun nga Bullgaria edhe me një veto të dytë, Maqedonia mendon se marrëdhëniet e mira në mes dy vendeve nuk mund të prishen, siç e quan ajo, nga manipulimet e njerëzve si rasti i 23 vjeçares Mitrova.

Politika e Shkupit zyrtar mendon se qëndrimi i Bullgarisë është jo serioz dhe mendon se dy shtetet nuk guxojnë të lejojnë keqpërdorimin e shtetësive dhe pasaportave si alibi për probleme me shkurorëzime apo fshehje të tatimit, duke e marrë shembull rastin me ish ministrin e Shëndetësisë Vllado Dimov.

Maqedonia mendon se autoritetet bullgare janë manipuluar me fatet e njerëzve, të cilët kërkojnë mbulim për mosmarrëveshjet e tyre familjare dhe veprimet kriminele.

Tani mbetet të shohim se cili fqinj do të jetë vetoja e tretë e radhës ......!

Kroacia kërkon "ngrirjen e përkohshme" të mosmarrëveshjes kufitare me Slloveninë

Presidenti kroat Stipe Mesiç ka propozuar "ngrirjen e përkohshme" të mosmarrëveshjes kufitare me Slloveninë dhe arritjen e një marrëveshjeje nëpërmjet një arbitrazhi ndërkombëtar.

Aktualisht është e vështirë që të kapërcehet kjo mosmarrëveshje, pasi të dy palët nuk heqin dorë nga argumentet e tyre. Për këtë arsye do të ishte më mirë të ngrinim përkohësisht këtë çështje dhe të biem dakord për një zgjidhje të përkohshme, siç e kemi me malazezët, dhe kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare, atëherë do t'i drejtohemi Gjykatës Ndërkombëtare.

Mesiç kritikoi Slloveninë për bllokimin e progresit të Kroacisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke deklaruar se Zagrebi nuk e kishte shfrytëzuar këtë çështje për t'i krijuar probleme fqinjit të saj, kur po i bashkohej Bllokut, 5 vjet më parë.

Duke shpjeguar propozimin e tij, Mesiç tha se rrugëdalja nga kriza duhet të jetë e tillë që të mos dëmtojë asnjërën palë.

(Autori prof.ass.dr. Adem Zogjani është auditor i lartë ligjor)