LAJMI I FUNDIT:

Pse Polonia mund të ketë më shumë përfitime nga disfata ruse në Ukrainë?

Pse Polonia mund të ketë më shumë përfitime nga disfata ruse në Ukrainë?
Refugjatët ukrainas mbajnë flamurin polak, në Gdansk të Polonisë (foto: Agnieszka Pazdykiewicz/Sopa Images/Rex/Shutterstock)

Anna Gromada dhe Krzysztof Zeniuk / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Nëse rezultati i luftës mund të përcaktohet nga hedhja e një monedhe, kampet do të ishin të qarta: demokracitë do të donin që Ukraina të fitojë, autokracitë do të donin që ajo të humbasë. Por, në botën reale, rezultatet politike nuk janë aq binare. Ato zakonisht bien në spektrin mes asgjësimit dhe fitores totale. Kjo i lë demokracitë të ndara në të paktën tri kampe: anglishtfolëse, europerëndimore dhe eurolindore – minus Hungarinë. Në atë që Putini quan “perëndim kolektiv”, të gjithë duan që Ukraina të fitojë. Por, jo domosdo në të njëjtën masë.


Për Poloninë dhe për vendet baltike, çështja është e thjeshtë. Ata duan që fitorja e Ukrainës të jetë e qartë. Përparësitë do të ishin materiale dhe psikologjike.

Fitorja e Ukrainës do të qetësonte ankthin shekullor. Rusia ka ndjell pushtimin e Polonisë, ndarjet, gjenocidin, kolonializmin dhe komunizmin. Obsesioni është i ndërsjellë. Në esenë e vitit 2021, duke argumentuar se Ukraina dhe Rusia ishin historikisht një popull, Putini përfshiu më shumë se 30 referenca për Poloninë – disa që lënë të kuptohet se identiteti kombëtar ukrainas është komplotuar nga elitat e Polonisë. Gjatë 600 vjetëve të fundit, Rusia dhe Polonia kanë zhvilluar më shumë se një duzinë luftërash. Ka shumë dashuri të humbura mes tyre.

Suksesi i Ukrainës do ta sillte gjithashtu një shans historik për rajonin, që të dalë nga statusi i periferisë dhe të bëhet kundërpeshë ndaj shteteve të mëdha të Perëndimit – anëtare të BE-së. Fitorja në Ukrainë ndoshta do të bartej në ndryshimin e regjimit në Bjellorusi – pjesa e dytë që mungon në projektin historik të Intermariumit, ose tamponit të vendeve aleate që shtrihen nga Baltiku në Detin e Zi, për të kundërbalancuar fuqinë e Rusisë.

Për Poloninë, skenari i tillë do të ishte xhekpot i dyfishtë. Për herë të parë, të paktën nga shekulli XVII, do ta kapërcejmë problemin e “lagjes” – rehatinë që shumica e evropianëve perëndimorë e kanë marrë si të mirëqenë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Një rajon i bashkuar në gjithë Evropën Lindore, me kapacitet njerëzor dhe ekonomik prej më shumë se 100 milionë qytetarëve, mund të kompensojë dominimin e Reinlandit të vjetër në BE.

Kjo mundësi është arsyeja se pse Kremlini nënvlerëson sistematikisht potencialin e rajonit. Retorika e saj trajton Ukrainën si asgjë më shumë se një depo e folklorit fshatar sllav, si një superfuqi vetëm në artizanate. Në realitet, Ukrainën, vendlindjen e Sergei Prokofievit dhe Sergei Korolevit, babait të eksplorimit sovjetik të hapësirës, e presin një sërë burimesh të pashfrytëzuara natyrore, një potencial për energji elektrike pa emetim, disa nga tokat më pjellore të kontinentit, industria hapësinore dhe aviacioni që ndërtoi aeroplanin më të madh në botë dhe liderët politikë që kanë respekt në gjithë Evropën.

Përdorimi i këtij potenciali kërkon ekonomi të madhe, institucione transparente dhe investime kapitale. Një pjesë e kësaj mund të vijë nga integrimi rajonal, me aleatët e saj. Frenimi i korrupsionit dhe pushteti i oligarkëve ishte me të madhe pjesë e agjendës së administratës së Zelenskiyt. Me fitore do të rrjedhin paratë e investimeve.

Polonia dhe Ukraina sot janë shumë më të varfra se Franca dhe Gjermania. Si mund të bëhen ato, realisht, një forcë kundërbalancuese në BE-në e ardhshme? Ashtu si shumë mrekulli ekonomike të pasluftës – si ato të Koresë së Jugut, Japonisë dhe Gjermanisë Perëndimore – edhe kjo ka të ngjarë të bashkësponsorizohet nga një superfuqi që ka shumë për të fituar nga rendi i rikonfiguruar politik.

Shtetet e Bashkuara tashmë po derdhin paratë, teknologjinë dhe thinktankët në Evropën Lindore. Në këmbim, ajo pret ndikim dhe qëndrim të qartë ndaj Kinës. Ky është çmimi që duket shumë i lartë në Perëndim të Evropës, por jo në Lindje të saj. Lituania ishte e gatshme të rrezikojë marrëdhëniet tregtare me Kinën, për të kënaqur ShBA-në, ndërsa Ukraina dhe Republika Çeke janë fokusuar në marrjen e karburantit bërthamor nga ShBA-ja. Polonia kohët e fundit ka lidhur kontratë me një kompani amerikane, për të ndërtuar centralin e saj të parë bërthamor.

Evropianët perëndimorë mund të mos jenë gati që qendra gjeopolitike e gravitetit të zhvendoset drejt Lindjes – lëre më me çmimin e rritjes së ndikimit të ShBA-së në gjithë kontinentin.

Pas Luftës së Ftohtë, Evropa Perëndimore u bë aleat ngurrues i ShBA-së dhe përfitues kryesor në trekëndëshin e krijuar pas rënies së Murit të Berlinit: energjia ruse, tregjet kineze dhe siguria amerikane. Shtylla e parë tashmë është zhdukur dhe e dyta mund të jetë çmimi që duhet paguar për të tretën.

Franca dhe Gjermania aktualisht mbështesin politikën e “autonomisë strategjike” për Evropën, një ide e mbrojtjes dhe sigurisë që një ditë mund të çojë në një ushtri të BE-së. Rusia e Putinit ka shtyrë para synimin për një bashkim euroaziatik që shtrihet “nga Vladivostok në Lisbonë”. Ajo që të dy strategjitë kanë të përbashkët është neveria ndaj dominimit “anglo-sakson” në Evropë.

Interesat amerikane dhe të Evropës Lindore sot duken të përafruara. Ka dy arsye të dukshme pse ato mund të ndryshojnë. Së pari, ShBA-ja ka shumë më tepër frikë nga përsëritja e kaosit të shpërthimit të Bashkimit Sovjetik të vitit 1991, ndërsa rrezikon sigurinë bërthamore. Këto rreziqe sigurie nuk merren lehtë në Evropën Lindore. Por, nëse tashmë ti jeton në një lagje të rrezikshme ku edhe ekziston mundësia e përmirësimit të madh, këndvështrimi juaj mund të jetë i ndryshëm.

Së dyti, duket se ka ende shpresë në ShBA-në se, për sa kohë që Rusia qëndron në këmbë, ajo përfundimisht mund të kthehet drejt Perëndimit dhe të përdoret kundër Kinës – manovër e kundërt e Kissingerit. Në Evropën Lindore, kjo ide është pritur me tmerr. Është testuar shumë herë me Putinin (shumë – nëse pyeten evropianët lindorë). Rajoni ka frikë se mund të gjykohet sërish nga pasardhësi i Putinit – veçanërisht nëse Rusia, në vend të reformave të mëdha, nxjerr nga kapela dikën si Alexei Navalny, estetikisht i pranueshëm për Perëndimin, por ende i lidhur me rolin e Rusisë si fuqi e madhe.

Por, këto janë mundësi dhe rreziqe, jo të dhëna. Partia Ligj dhe Drejtësi e Polonisë – e zhytur në konflikt i nxitur nga dinjiteti me BE-në për sundimin e ligjit – ka humbur mundësinë për të zënë në mënyrë efektive vendin e Britanisë në BE-në pas Brexit-it. Por, nuk po e ka humbur mundësinë për të qenë aleat i besueshëm i Ukrainës, as nuk po e largon shikimin prej gjeopolitikës pozitive që mund të dalë përfundimisht nga kjo.

Pavarësisht nëse partia në pushtet është në gjendje ose jo të mbajë pushtetin pas zgjedhjeve të vitit 2023, kursi gjeopolitik i vendit është i qëndrueshëm. Në mars, Parlamenti polak me shumicë dërrmuese votoi në favor të dhënies së të drejtave të posaçme ukrainasve – për arsimin, shëndetin dhe tregun e punës në Poloni. Më shumë se 80 për qind e ukrainasve kanë mendim të mirë ose shumë të mirë për polakët. Tre të katërtat thonë se pikëpamja e tyre është përmirësuar që nga pushtimi i Rusisë. Pavarësisht marrëdhënieve të trazuara deri në vitin 1945, ukrainasit i perceptojnë sot polakët si shoqëria e vetme më miqësore.

Të gjitha partitë kryesore polake mbështesin Ukrainën, por ato gjithashtu shpresojnë se teksa harku i historisë është i gjatë, përfundimisht do të përkulet drejt një rendi të ri gjeopolitik. Ata duan të shohin Ukrainën që të dalë nga kjo luftë si yll në zhvillim, se orientimi shekullor perëndimor i Evropës do të përmbyset – dhe se Polonia do të dalë si fituese e padeklaruar. /Telegrafi/