LAJMI I FUNDIT:

Pse nuk duhet fajësuar Januzaj që ndihet belg?!

Pse nuk duhet fajësuar Januzaj që ndihet belg?!

“Jam belg dhe ndihem belg”. Kjo është deklarata e futbollistit të ri në të cilën nuk ka asgjë të keqe. Pse ai nuk ka deklaruar ndryshe, ta zëmë, “unë ndihem shqiptarë dhe krenar që kam rrënjë nga Kosova”, është diçka tjetër – diçka që besoj do t’i pëlqente më shumë shumicës shqiptare, jo vetëm në Kosovë.

Ma merr mendja se shumë më brengosëse për të gjithë ne është kur, ta zëmë, një vajzë 15-vjeçare me prejardhje shqiptare akuzohet me dyshimin për terrorizëm në Austri. Raste të tilla, bile edhe më të rënda, ka pasur gjithandej në Evropën Perëndimore. Fundja, ajo, siç ndihet një i ri dhe çfarë identiteti e bindje merr – prindërit e të cilëve kanë ikur nga lufta e fundit në Kosovë e që të tillë në Evropë ka me qindra-mijëra – ka të bëjë edhe me edukatën familjare, me rrethanat ku është rritur dhe si është arsimuar (edhe me lidhjet që i mban me Kosovën dhe se sa e si i mban ato).


Por, kjo ka të bëjë edhe me diçka tjetër shumë të rëndësishme, për të cilën ne në Kosovë pak e hiç jemi të vetëdijshëm: ka të bëjë me atë çfarë bëjnë institucionet e Kosovës për gjeneratën e dytë të lindur në Evropën perëndimore dhe gjetiu. Çfarë bëjnë këto institucione që këtë rini ta mbajnë të lidhur me Kosovën, me gjuhën shqipe, me kulturën, artin, me bukuritë e atdheut, me traditën e saj, me mënyrën shqiptare të të jetuarit, me tolerancën fetare e të tjera të ngjashme?

Thjeshtë, çfarë bëjnë këto institucione që kjo rini, shumica me të dy prindër shqiptarë nga Kosova, të ndihen përveç tjerash edhe shqiptarë dhe tek ata të mbëltohet dashuria dhe krenaria për vendin dhe prejardhjen e tyre? T’i lihet kjo vetëm prindërve, pra familjes në kurbet, praktika dëshmon se nuk është e mjaftueshme.

Në shtetet ku janë shqiptarët, nuk ka asnjë lloj diskriminimi etnik, fetar apo tjetër, por identiteti i tyre nga vendi prej të cilit janë nuk është prioritet për t’u mbajtur gjallë e kultivuar (edhe pse ka përpjekje institucionale në vendet ku janë vendosur, që ky identitet të mos davaritet krejt). Për shkak se është kështu, Kosova duhet të ketë strategji afatgjate shtetërore, të përpunuar mirë e të përditësuar pandalshëm, për këtë kategori. Kjo do mund, përkushtim, sidomos mjete financiare. Kështu që ekzistimi i Ministrisë së Diasporës për Kosovën do të jetë edhe për shumë kohë e domosdoshme.

Ka përvoja shumë të mira se si e bëjnë këtë shtetet që kanë numër të madh mërgimtarësh. Në këtë drejtim duhet dëgjuar edhe fjala e mërgimtarëve tanë të cilët mund të vijnë me ide e iniciativa të mira e të dobishme. Fundja, ky investim, pra ai tek gjenerata e dytë shqiptare në Evropë dhe gjetiu, që ka lindur jashtë Kosovës, është profitabil për Kosovën dhe ai investim gjithmonë do të na kthehet shumëfish. Mbajtja gjallë e atdhedashurisë dhe e krenarisë së të qënit shqiptarë, mbajtja aktive e lidhjes së tyre me Kosovën, dërgimi i një “pjese të Kosovës” në forma nga më të ndryshme në vendet ku ata jetojnë, do t’i bëjë ata jo vetëm të deklarohen se ndihem edhe shqiptarë, por në fusha nga më të ndryshme – në muzikë, futboll, arsim, shkencë e të tjera – ata do të kontribuojnë: ta zëmë si të investojnë në Kosovë, si t’i sjellin përvojat e tyre këtu, t’i përkrahin talentët e rinj etj.

Për më shumë, atyre të rinjve të lindur jashtë Kosovës kjo lidhje do t’ua mundësojë të kenë orientime përmbajtjesore properëndimore të tilla çfarë i ka dhe i aspiron Kosova parimisht, e rrjedhimisht edhe të jenë qytetarë të mirë e të dobishëm të vendeve ku jetojnë e punojnë. Përndryshe, nëse ne nuk do të kemi strategji të tillë për diasporën tonë, nëse nuk investojmë më shumë në këtë drejtim, jo vetëm që nuk do t’i kemi beneficionet që ata mund të na i ofrojnë, jo vetëm që tek ata do të shuhet identiteti i prejardhjes, por nesër edhe mund t’ua shohim sherrin ne, familjet e tyre, dhe vendi ku jetojnë.