LAJMI I FUNDIT:

Pse investohet kaq shumë në “politikën e mosbesimit”?

Pse investohet kaq shumë në “politikën e mosbesimit”?

“A mbijeton dot demokracia kur ne nuk u besojmë liderëve tanë?”, pyeste disa kohë më parë në një ese të gjatë lidhur me fatin e demokracive sot, politologu dhe kryetari i Qendrës për Strategjitë Liberale, Ivan Krastev.

Një pyetje që na vjen në mend, sidomos pasi u njohëm edhe me sondazhet e fundit, të publikuara të premten mbrëma në kanalin televiziv “Euronews Albania”, rezultatet e të cilave tregonin mospëlqimin dhe refuzimin e publikut për të gjithë liderët politikë, sidomos për ata opozitarë. Po kujt i shërben ky mosbesim ndaj liderëve politikë? Kë bën më të fortë pyetësori i mbështetur në mospëlqimin e tyre?

Sipas politologëve, çdo qëndrim që i vendos politikanët në nivelin e kontestimit apo refuzimit publik, favorizon vetëm atë që është në pushtet, pasi në thelb, një politikë e tillë mbjell vetëm dekurajim mes qytetarëve, duke krijuar idenë se vota e tyre është e parëndësishme, se qëndrimet dhe opinionet e tyre nuk vlejnë për të ndryshuar realitetin. Kjo politikë sondazhesh duket se ka vlerë edhe për vendet e zhvilluara, por për vende si Shqipëria ai mbetet jetik, sidomos kur qeveria ka pak gjëra për t’u krenuar gjatë mandatit apo mandateve të saj qeverisëse.

Ndaj dhe në ligjërimin e tij politik dhe mediatik, Kryeministri investohet në çdo qëndrim, me qëllim që ndaj kundërshtarit të tij politik të ketë më shumë mosbesim, më shumë kontestim, pasi kështu qeveria zë pozicionin e së “keqes më të vogël”. Po të ishin formuluar disa pyetje të tjera në këto sondazhe, të tilla si: Sa mendojnë qytetarët se është e korruptuar qeveria; Sa nga ne besojnë se Parlamenti, si pushteti më i lartë i një republike parlamentare, arrin t’i kërkojë llogari Kryeministrit dhe ta kontrollojë atë?- fare lehtë do kishim një panoramë krejt ndryshe të situatës së qeverisë së sotme përballë publikut.

Për të vazhduar me të tjera pyetje: A ndërhyn apo jo qeveria në pavarësinë e gjyqësorit? Sa besim kanë njerëzit në institucionet e drejtësisë, pasi situata mund të jetë edhe më e errët lidhur me mbështetjen që në të vërtetë ka sot qeveria në publik. Frika e qeverisë se sondazhet e bazuara vetëm në punën e qeverisë, sidomos në zbatimin e ligjit, mund të sillnin një ndryshim të opinionit publik, ka bërë që qeveria të mbajë në qendër të debatit të tilla krahasime me opozitën, a thua se në këto dhjetë vite të qeverisjes së Ramës ka pasur po aq pushtet në vendime edhe maxhoranca edhe opozita. Padyshim që opozita është një element i rëndësishëm për funksionimin e demokracisë dhe si e tillë duhet gjykuar në atë që shfaq, në mënyrën sesi ia kërkon besimin publikut për të ardhur në pushtet.

Është po kaq e rëndësishme që opozita të pyesë vetveten se ku përfundon ajo pjesë e shoqërisë që nuk mbështet qeverinë, por që nuk arrin të jetë as në krah të tyre. Gjithsesi, mbetet absurde që të kërkosh të njëjtën përgjegjësi publike tek opozita sesa te maxhoranca, pasi është kjo e fundit që merr vendime për fatin e qytetarëve. “Demokracia ku njerëzit e kanë humbur shpresën se zëri i tyre demokratik mund të sjellë ndryshime dhe t’i shërbejë synimit të tyre kolektiv, është një demokraci në krizë”, shkruan Krastev, duke vënë theksin se në një shoqëri demokratike nuk mjafton vetëm ekzistenca e institucioneve, por besimi se këto institucione funksionojnë dhe se mund të vetërregullohen.

Pikërisht këtu qeveria jonë duket se është e interesuar ta zhdukë këtë shpresë, ndaj dhe investon gjithçka në politikën e mosbesimit. Ndaj gjuha e Kryeministrit është tallëse, kontestuese, bullizuese, pasi në interesin e tij është që qytetarët të mos besojnë se kanë fuqi të ndryshojnë. Ndaj dhe që pas ardhjes në pushtet ai është përpjekur të bindë publikun se ai është fati ynë. Qoftë edhe duke lozur së fundmi me kartën e mbështetur në të tilla sondazhe, se ai është ende “e keqja më e vogël”. Në këtë strategji dekurajuese, kontestimi ndaj kundërshtarit është jetik, sidomos në prag të fushatës zgjedhore. Fatkeqësisht, edhe opozita po ia jep këtë shans me moskorrigjimin e vetvetes.