LAJMI I FUNDIT:

Pse është e qeshura aq shumë argëtuese?

Pse është e qeshura aq shumë argëtuese?
Young people drinking beer outdoors

Neuroshkencëtarja dhe komikja me kohë të pjesshme, prof. Sophie Scott, i zbulon gjërat që sigurisht nuk i keni ditur në lidhje me të qeshurat.

Në vijim janë tetë gjërat të cilat sigurisht nuk i keni ditur në lidhje me të qeshurat.

1. E qeshura nuk ka të bëjë me shaka


Pyetni të rriturit se çfarë i bën të qeshin, dhe shumica do t’ju thonë se janë shakatë dhe humori. Por ata gabohen.  Robert Provine, një psikolog nga Universiteti i Maryland, ka zbuluar se ne në fakt qeshim shumë kur flasim për miqtë tanë.

Në fakt, ne kemi 30 herë më shumë gjasa të qeshim me diçka, kur jemi me njerëzit e tjerë. Në mënyrë intriguese, në kuadër të këtyre bisedave, ne ende nuk qeshim me shaka: ne qeshim me deklaratat dhe komentet të cilat nuk duken nga ata as për së afërmi qesharake.  Kjo është një formë e komunikimit, jo një reagim.

Shkenca e së qeshurës na tregon se e qeshura më pak ka të bëjë me shaka dhe më shumë me sjellje shoqërore të cilat i përdorim për t’u treguar njerëzve që na pëlqejnë dhe se i kuptojmë ata.

2. E qeshura është ngjitëse

Skanimet tona të trurit gjithashtu zbulojnë se e qeshura është ngjitëse. Edhe kur dikujt i skanohet truri, gjë që nuk është shumë qesharake, mund ta shihni trurin e tyre duke reaguar ndaj të qeshurave përmes përgatitjes së muskujve të tyre të fytyrës. Dhe sa më shumë që dikush e tregon një reagim ngjitës ndaj së qeshurës, aq më të mirë janë ata në të dalluarit nëse qeshja është e vërtetë apo e detyruar.

Kjo duket se sugjeron se bashkëngjitja kur dëgjoni të qeshura është më shumë se vetëm ngjitëse – ajo mund t’ju ndihmojë që ta kuptoni se çfarë do të thotë e qeshura.

3. Njerëzit që i njihni janë më qesharakë

Por njohja dhe pritjet tona janë ende shpesh në qendër të të qeshurave. Njerëzit i shohin shakatë më qesharake nëse mendojnë se ajo u është thënë nga ndonjë komedian i njohur.

4. E qeshura nuk do t’ju bëjë më të shëndetshëm

Interneti është plot me pohime se të qeshurat janë të mrekullueshme për shëndetin tuaj. Megjithatë, nuk është e vërtetë se e qeshura djeg më shumë kalori se sa vrapimi.

Edhe pse e qeshura i rritë shpenzimet e energjisë dhe ritmin e zemrës me rreth 10-20%, kjo është një djegie prej 10-40 kalori për çdo 10- 15 minuta të të qeshurave.

Do të duhej të qeshnit në mënyrë solide deri në tri orë për ta djegur një pako të patatinave të kripura.
A është e qeshura ilaçi më i mirë?

5. Marrëdhëniet zgjasin më gjatë kur qeshni

Psikologu nga Berkeley, prof. Bob Levenson kërkoi nga çiftet që të diskutojnë diçka në lidhje me partnerin e tyre që i bezdiste ata – një subjekt i ndjeshëm.

Çiftet që i përdorën të qeshurat dhe buzëqeshjet jo vetëm që ndiheshin më mirë menjëherë, por gjithashtu raportuan nivele më të larta të kënaqësisë në marrëdhëniet e tyre, dhe qëndruan së bashku për më shumë kohë.

Kjo na tregon se e qeshura është një emocion që mund ta përdorim me ata me të cilët jemi të afërm emocionalisht, për ta bërë veten të ndihemi më mirë.

Kjo është kritike që ta shijojmë një disponim të lumtur – por ndoshta edhe më e rëndësishme kur rrethanat janë duke na bërë të ndihemi keq.

E qeshura mund të na ndihmojë ta masim shëndetin e jo vetëm njerëzve, por edhe marrëdhënieve mes njerëzve – një mënyrë për t’i shikuar ndërveprimet tona sociale dhe efektet që ato kanë në ne.

6. E qeshura kërkon kohë të saktë

Në biseda njerëzit e bëjnë të qeshurën e tyre pikërisht në fund të fjalive. Edhe njerëzit që flasin në gjuhën e shenjave e bëjnë këtë – përkundër faktit se ata mund të qeshin gjatë bisedës së tyre të “heshtur” në qoftë se do të dëshironin.

Është gjithashtu e vështirë të mësohesh të kesh vetëbesimin për t’ia lënë një pauzë audiencës për të qeshur, dhe për t’u përballur me faktin në qoftë se ata nuk qeshin.

Komikët janë shumë të ndjeshëm ndaj mënyrës se si e qeshura mund të rritet apo të zbehet në dhomë, dhe ta lësh një hapësirë që e qeshura të ndodhë është një aftësi e vërtetë.

Kiri Pritchard-Mclean, një komediane e cila gjithashtu mëson komedi, vë në dukje: “Nevojitet shumë vetëbesim që të qëndrosh në një skenë dhe të mos bësh asgjë ndërsa publiku qesh – dhe është vështirë të mësosh të kthehesh në atë pikë – të mos i ndalosh të qeshurat apo të presësh shumë kohë dhe ta humbësh vrullin e dhomës”.

7. E qeshura është tërheqëse

A mund ta dërgoni vërtet dikë në shtrat duke e bërë që të qeshë? Një studim nga reklamat personale ka konstatuar se si meshkujt ashtu edhe femrat e specifikuan sensin e humorit më shpesh se inteligjencën, arsimin, profesionin apo aftësinë seksuale.

Një tjetër studim konstatoi se ne i vlerësojmë të huajt si më tërheqës në qoftë se ata qeshin me shakatë tona.

8. Disa gjëra janë pothuajse të garantuara që do t’ju bëjnë të qeshni

Asnjë komedian nuk e ka gjetur ndonjë shaka që është pafundësisht zbavitëse.
Por, kur përpiqesha t’i bëja njerëzit të qeshin në laboratorin tim, zbulova se disa gjëra funksionojnë më mirë se të tjerat.

Një nga mjetet më të mira janë klipet e njerëzve duke u përpjekur të mos qeshin në situata ku e qeshura është shumë e papërshtatshme.

Shembulli klasik është Charlotte Green, e cila përpiqet t’i lexojë lajmet drejtpërdrejt në BBC Radio 4, ndërsa përpiqet dëshpërimisht t’i frenojë të qeshurat. /Telegrafi/