Bayern Munich e siguroi titullin e 35-të në Bundesligë pas fitores 4-2 ndaj VfB Stuttgartit në kuadër të javës së 30-të, por festa në fushë ishte më e përmbajtur se zakonisht.

Trofeu zyrtar i kampionatit ende nuk u dorëzua, ndërsa në vend të tij në skenë u shfaq një “trofe” krejt i pazakontë: një papagall prej porcelani.


Sipas Goal.com, pas fishkëllimës së fundit dukej sikur titulli ishte pothuajse çështje dytësore për bavarezët, gjë që lidhet edhe me ndeshjet vendimtare që skuadra ende i ka përpara në këtë sezon.

Megjithatë, atmosfera u zbut kur lojtarëve dhe stafit iu shpërndanë bluza përkujtimore për titullin. Bluza e bardhë kishte të vizatuar një papagall të veshur me fanellën klasike të Bayernit në shtëpi – të kuqe me mëngë të bardha – teksa mbante trofeun e kampionit, pa ndonjë mbishkrim shtesë si “35”, “kampionë të Gjermanisë” apo “numri 1”.

Shumëkush që e mban mend festën e vitit të kaluar e kuptoi menjëherë simbolikën. Në një moment, Leon Goretzka e ngriti lart papagallin prej porcelani, e cila tashmë është kthyer në një lloj “maskote” brenda ekipit dhe ndodhet në dhomën e trofeve të klubit.

Nga erdhi papagalli?

Për ata që nuk e kanë ndjekur historinë, gjithçka nis më 10 maj 2025. Gjatë festimeve të titullit të sezonit të kaluar, trajneri Vincent Kompany vendosi papritur në podium një papagall të bardhë prej porcelani, duke i argëtuar lojtarët dhe duke e kthyer objektin në një “shaka” të brendshme të skuadrës.

Më vonë u mësua se zogu ishte “huazuar” një javë më parë nga restoranti luksoz Kafer, ku ekipi ishte mbledhur për të festuar, në një periudhë kur titulli praktikisht ishte i sigurt – edhe pasi rivalët kryesorë, Bayer Leverkusen, barazuan 2-2 me Freiburgun.

Objekti dekorativ u kthye shpejt në një simbol të festës. Pronari i restorantit, Michael Kafer, më pas ia dhuroi ekipit një papagall të ngjashme me vlerë rreth 1.000 euro, e cila madje kishte udhëtuar me skuadrën edhe në Kupën e Botës për Klube (e vendosur në vitrinë gjatë udhëtimit).


Tani, një vit më vonë, papagalli prej porcelani është sërish në qendër të vëmendjes — si një traditë e re dhe një detaj simbolik i festimeve të Bayernit. /Telegrafi/

telegrafi sport app