LAJMI I FUNDIT:

PS, dekreti i Nishanit për zgjedhjetnë Dibër i pavlefshëm

PS, dekreti i Nishanit për zgjedhjetnë Dibër i pavlefshëm

Partia Socialiste (PS) kundërshton dekretimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në bashkinë e Dibrës, që është 11 shtator 2016.


Burime nga partia Socialiste pohuan për gazetën “Panorama” se do t’i drejtohen zyrtarisht kreut të shtetit që të tërheqë dekretin pasi sipas saj, ky dekret është i pavlefshëm.

Argumenti për këtë është sepse vendimi i gjykatës kushtetuese nuk është shpallur zyrtarisht dhe nuk është botuar në fletoren zyrtare.

Me Dekretin Nr.9716, datë 02.08.2016, Presidenti i Republikës dekretoi sot “Caktimin e datës 11 shtator 2016, për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Peshkopi, Qarku Dibër.”

Sipas socialistëve, “ky akt individual i Presidentit të Republikës ka dalë në mënyrë krejt të papritur në vijim të një “Njoftimi për Media” që Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dje mbi ankimin e Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Peshkopi, Shukri Xhelili.

Sipas njoftimit për median, Gjykata Kushtetuese, në seancë plenare ka vendosur “Rrëzimin e kërkesës”.

Por sipas socialistëve, presidenti duhet të shpallë datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkinë e Dibrës vetëm pas hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka lënë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave.

“Vetëm atëherë Presidenti i Republikës bëhet kompetent të shpallë datën e zgjedhjeve dhe jo kur këtë e merr vesh përmes një njoftimi paraprak, i cili ka vetëm vlerë mediatike, por jo juridike”, thanë burime pranë Partisë Socialiste.

Sipas të njëjtave burime, dekreti i nxjerrë nga kreu i shtetit është haptazi në kundërshtim me ligjin e për pasojë absolutisht i pavlefshëm, ndaj edhe si palë drejtpërdrejt e interesuar, në bazë të nenit 111 të “Kodit të Procedurave Administrative”, i kërkon Presidentit të Republikës të konstatojë pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ sa më shpejt, në mënyrë që të mos shkaktohen pasoja të padëshiruara nga ligji./Panorama/Telegrafi/