Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar sot aktivitet në kampusin e Universitetit të Prishtinës, përballë Fakultetit Filologjik, aty ku është u ndërtua parkingu nëntokësor.

Reklama

Një numër simbolik studentësh iu bashkuan këtij aktiviteti, për kundërshtuar “ozurpimin e hapësirës publike të UP-së nga bizneset private”.

Me moton “Publikja ju takon studentëve” ata kanë shkruar me sprej në pllakat e betonuara të ish-parkut përpara Filologjikut, si dhe kanë hedhur ngjyrë në xhamat e bizneseve të sapohapura në këtë pjesë.

“Sot u bëmë bashkë studente/ë dhe aktiviste/e për të denoncuar dhe kundërshtuar uzurpimin e hapësirës publike të UP-së nga bizneset private dhe për t’iu treguar atyre që janë të padëshirueshëm këtu”, thuhet në njoftim.

Reklama

“Aty ku sot janë bizneset private dhe një parking, dikur ishte një park publik. Tash këtu ka beton e uzurpim. Këto biznese që po i shohim mbrapa nesh janë këtu përkundër vullnetit tonë e në dëmin tonë. Tri vite më parë, Komuna e Prishtinës kishte filluar gërryerjen e hapësirës, për të nisur kështu një proces të privatizimit, frytet e së cilës po i shohim sot”.

Reklama

“Uzurpimi i parkut të UP-së përveç që shënon një ndërhyrje të egër në hapësirën publike, tregon edhe një ndërhyrje tjetër për ta varfëruar edhe më tej xhepin e studentëve. Ne veç se jemi në dijeni që studentët janë ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, me pak mbështetje shtetërore, me kushte të dobëta financiare e trajtim të padinjitetshëm. E privatizimi i mëtejmë i çdo shërbimi, duke përfshirë këtu edhe ushqimin, veç sa do ta varfërojë edhe më tej studenten e studentin. Ne duam që ushqimi dhe shërbimet tjera brenda kampusit të na sigurohen si shërbime publik në kuadër të UP-së e jo të përdoremi si mjet për rritje të të hyrave të bizneseve”.

Reklama

“Për ne, është e papranueshme dhe do duhej të ishte edhe e jashtëligjshme që të vazhdohet kjo që është duke i ndodhë UP-së. Privatizimi i hapësirave publike të UP-së duhet të ndalet. Edhe ato pak hapësira gjelbërta publike të cilat kanë qenë në shfrytëzim të studentëve të UP-së tash janë duke u plaçkitur nga sektori privat. E kjo duhet të ndalet. Nuk mund të lejojmë që çdo gjë që i takon publikes të vihet në shërbim të përfitimeve të bizneseve. Nuk mund të lejojmë që kampusi ynë t’i jepet bizneseve private”.

Reklama

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kërkon që:

1. Parku publik të iu kthehet qytetarëve dhe të ndalohet “kjo vjedhje e çdo cepi që i takon publikes -Komuna e Prishtinës ta ndërprejë këtë eksperiment që po bëhet në kurrizin tonë”.

Reklama

2. UP-ja, profesoriati dhe përfaqësuesit e studentëve të marrin qëndrim dhe ta kundërshtojnë “këtë të keqe është duke na i përbi hapësirat publike”;

3. Shërbime publike, të përballueshme për studentët/et brenda UP-së.

“Ne po e theksojmë që këto biznese janë të padëshiruara për ne si studentë. Ky kampus na takon neve dhe jo bizneseve private”, thuhet tutje në njoftim.