Rreth 130,000 njerëz janë regjistruar zyrtarisht si të zhdukur në Meksikë që nga viti 2006, kur qeveria nisi operacionin e saj të diskutueshëm kundër drogës.

Disa ekspertë thonë se numri i vërtetë mund të jetë edhe më i lartë.


Në prill, një raport i Kombeve të Bashkuara e konsideroi krizën aq të rëndë saqë e etiketoi atë si një "krim kundër njerëzimit".

Aktivistët dhe familjet që kërkojnë të dashurit e tyre vendosën imazhe të fytyrave të tyre pranë stadiumit Azteca në Mexico City, ku vendi do të ndeshet me Afrikën e Jugut në Kupën e Botës më 11 qershor.

"Po e bëjmë këtë të dukshme në mënyrë që turistët që vijnë në këtë qytet të shohin se në fakt kemi një krizë zhdukjesh", tha Vanesa Gomez, e cila ka qenë në kërkim të vajzës së saj që nga viti i kaluar.

"Topi po vjen në shtëpi, kur do të vijnë fëmijët tanë" bërtitën disa nga aktivistët, ndërsa disa të tjerë shkruan me bojë slogane proteste.

Gabriel Diaz, i cili është duke kërkuar motrën e tij të zhdukur, tha: "Ashtu siç është e rëndësishme Kupa e Botës për Meksikën, edhe njerëzit që mungojnë duhet të jenë po aq të rëndësishëm".

Ndryshe, Meksika pret që rreth pesë milionë turistë ta vizitojnë për Kupën e Botës, të cilën e organizon së bashku me SHBA-në dhe Kanadanë. /Telegrafi/