LAJMI I FUNDIT:

“Mos luani me dinjitetin tonë” – protesta e FIT-it para Qeverisë, këto janë kërkesat e Njësitit elitar të Policisë

“Mos luani me dinjitetin tonë” – protesta e FIT-it para Qeverisë, këto janë kërkesat e Njësitit elitar të Policisë

Njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, i njohur si FIT sot ka protestuar para Qeverisë së Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj propozimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat e rrezikshmërisë. 

Përfaqësuesi i FIT-it gjatë protestës theksoi se pakënaqësitë e tyre nuk datojnë nga sot, por janë më shumë se 10 vjet.


“Jemi njësi elite e Policisë së Kosovës. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga sot, por më shumë se 10 vite kemi marr premtime e asnjëra nuk është realizuar. Tek Ligji i pagave edhe pse kemi kërkuar ndryshim para nëntë muajsh, kërkesat tona nuk janë realizuar”, ka thënë përfaqësuesi i FIT-it.

Fotografi nga protesta e FIT-it para Qeverisë
Lexo po ashtu Fotografi nga protesta e FIT-it para Qeverisë

Ai po ashtu kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të marr parasysh kërkesat e tyre.

“Kryeministër mos luani me dinjitetin tonë dhe me ndjenjat e familjeve tona. Kemi dëshmuar veten në raste të shumta dhe në sulmin e fundit të 24 shtatorit. Kërkojmë nga ana juaj që kërkesa për shtimin e rrezikshmërisë të merret parasysh”, theksoi ai.

Përfaqësuesi i FIT-it bëri të ditur se kërkesat e tyre janë: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirjen në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.

Ai po ashtu tha se kërkesat e tyre janë ekonomike dhe sociale.

“Kërkojmë dhe mirëkuptim në këtë aspekt pasi jemi pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike”. /Telegrafi/