LAJMI I FUNDIT:

Propozimi për lëvizje të lirë edhe për bartësit e dokumenteve që i lëshon Beogradi, OJQ-të shqiptare u përgjigjen atyre serbe: Reagimi juaj i njëanshëm, Kosova është shtet i pavarur 

Propozimi për lëvizje të lirë edhe për bartësit e dokumenteve që i lëshon Beogradi, OJQ-të shqiptare u përgjigjen atyre serbe: Reagimi juaj i njëanshëm, Kosova është shtet i pavarur 

Propozimi i Komisionit Evropian që i lejon udhëtim pa viza bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, ku përveç Qeverisë së Kosovës kanë reaguar edhe organizatat e shoqërisë civile.

Organizatat shqiptare të shoqërisë civile në Kosovë kanë kundërshtuar një propozim të tillë të KE-së duke dhënë arsyet se vjen në një kohë ku ka shumëfishim të numrit të qytetarëve serbë që kërkojnë të pajisen me dokumente të Kosovës, përfshirë pasaportat dhe targa të veturave dhe kjo sipas tyre është një zhvillim tejet pozitiv dhe jashtëzakonisht premtues për kthim të normalitetit në veri të vendit.


Telegrafi ka siguruar propozimin e tillë të KE-së, por edhe letrën që Qeveria e Kosovës i ka shkruar Bashkimit Evropian duke dhënë arsyet pse është kundër këtij propozimi.

Për të kundërshtuar këtë propozim, edhe OJQ shqiptare në Kosovë i janë drejtuar me një letër Komisionit Evropian.

Mbi 20 organizata nga Kosova letër Komisionit Evropian: Tërhiqeni propozimin që i lejon udhëtim pa viza serbëve të Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia
Lexo po ashtu Mbi 20 organizata nga Kosova letër Komisionit Evropian: Tërhiqeni propozimin që i lejon udhëtim pa viza serbëve të Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

Pas letrës së OJQ-ve, kanë reaguar edhe organizatat e shoqërisë civile serbe që veprojnë në Kosovë që për dallim nga ato shqiptare kanë përkrahur propozimin e KE-së, ndërkaq me një letër publike kanë reaguar edhe kundër OJQ-ve shqiptare lidhur me rastin.

OJQ-të serbe mbështesin heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta serbe
Lexo po ashtu OJQ-të serbe mbështesin heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta serbe

Ndërkaq, pas letrës publike të OJQ-ve serbe ku kritikohen organizata shqiptare të shoqërisë civile, këto të fundit i janë drejtuar sot po me një letër publike ku jepen të gjitha arsyet pse duhet kundërshtuar rekomandimi i KE-së që tu mundësohet lëvizja e lirë qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta serbe.

Lexoni të plotë letrën publike të OJQ-ve shqiptare:

Me keqardhje të thellë e lexuam reagimin tuaj ndaj një letre të hapur me të cilën organizatat tona i jemi drejtuar Drejtorisë për Ҫështje të Brendshme të Komisionit Evropian, lidhur me një propozim të tyre për përfshirjen në listën e bardhë të Zonës Shengen të bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë. Raportet tona të afërta do të kishin përfituar edhe më tej në rast që brengat tuaja ndaj letrës tonë të na i paraqisnit drejtpërdrejtë, e jo nëpërmjet mjeteve publike të komunikimit.

Duke e respektuar megjithatë këtë vendim tuajin, këtë letër që po ua drejtojmë drejtpërdrejtë juve po e bëjmë gjithashtu edhe publike.

Reagimin tuaj e pamë dukshëm të njëanshëm dhe faktualisht jo të plotë. Përveҫ tjerash, për shkak të trajtimit të ҫështjes së pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë plotësisht jashtë rrethanave politike dhe historike në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

E para, lidhur me mosparaqitjen e saktë të faktit që pasaportat e lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë i paraqesin vendbanimet dhe territorin e Republikës së Kosovës si vendbanime dhe territor të Republikës së Serbisë. Pra, këto pasaporta nuk lëshohen për shtetas serb që jetojnë në Kosovë sikurse të jetonin në një vend tjetër, por për qytetarë serb të Kosovës të cilët shteti i Serbisë i konsideron si shtetas të territorit të vet, ashtu siç i ka konsideruar të gjithë banorët e Kosovës qysh nga qershori i vitit 1999.

Së dyti, lidhur me paraqitjen e shtrembëruar të konceptit të dyshtetësisë dhe sfidimit të aluduar të të drejtave që dalin nga ky koncept, për shkak që pasja e shtetësisë së Kosovës nga qytetarët serb të Kosovës automatikisht i bën ata të kualifikohen për të lëvizur lirshëm pa viza në Zonën Shengen, rrjedhimisht legjitimimin e pasaportës së lëshuar nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë e bën të panevojshëm për këtë qëllim, por vetëm për mirëmbajtjen e strukturave paralele të shtetit të Serbisë në Kosovë.

Së treti, injorimi i plotë i angazhimit të vazhdueshëm të shtetit serb kundër sovranitetit dhe vet ekzistencës së shtetit të Kosovës, me të gjitha mjetet dhe pandërprerë për më shumë se 23 vite, përfshirë organizimin e strukturave kriminale që pengojnë qytetarët serb të Kosovës që tentojnë të pajisen me dokumente, targa apo pasaporta të Kosovës me kanosje të vazhdueshme, djegie të veturave dhe aktet tjera të dhunshme, ҫështje të cilat i kemi diskutuar bashkërisht edhe më parë.

Së katërti, injorimi i parimeve përmes së cilave përkufizohet sovraniteti i Republikës së Kosovës, që përcakton që autoriteti i saj ushtrohet bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj. Këtë të drejtë ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës nuk mund ta ushtroj asnjë shtet tjetër, e më së paku një mekanizëm i kundërligjshëm i cili synon t’i largojë atributet e shtetësisë së Kosovës.

Për shkak që integrimi është një proces i nuancuar dhe i ndjeshëm, këto rrethana janë të pashmangshme kur trajtohet tema e qasjes së institucioneve të Serbisë ndaj çfarëdo elementi që lidhet me subjektivitetin, integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Andaj çdo krahasim me të drejtën qytetare për dyshtetësi, duke injoruar rrethanat dhe paraqitjen e saktë të fakteve është shtrembërim i së vërtetës dhe cenon rëndë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Pikërisht, cenimi i integritetit dhe sovranitetit të Kosovës është elementi kryesor i cili është trajtuar në letrën tonë për Komisionin Evropian. Përveҫ që është parim bazë i Marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE në mes të Kosovës dhe Serbisë të arritura në Bruksel dhe Ohër gjatë këtij viti, jemi organizata të cilat jemi themeluar, regjistruar dhe veprojmë në Republikën e Kosovës, dhe si të tilla nuk kemi dilema që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Ka qenë dhe mbetet supozim i joni që të gjitha organizatat e shoqërisë civile të themeluara, regjistruara dhe që veprojnë në Republikën e Kosovës po ashtu të mos kenë asnjë dilemë për këtë fakt thelbësor që nga viti 2008, e rrjedhimisht të mos ndjehen të ofenduara nga kërkesat që bazohen mbi këtë fakt. Përkundrazi, të angazhohen për zgjidhjen e problemeve praktike të qytetarëve serb të Kosovës për pajisje me dokumente të Kosovës brenda kësaj kornize.

Mbi këto, kërkesa jonë është parimore dhe plotësisht komplementare me punën tonë shumë vjeçare për një Kosovë demokratike për të gjithë qytetarët e vet, përfshirë nëpërmjet integrimit të plotë të qytetarëve serb të Kosovës në jetën publike dhe politike të vendit.

Në shumë prej këtyre punëve bashkëpunojmë ngushtë me ju, ndërsa mbesim të angazhuar për dialogun e hapur për të gjitha çështjet të cilat konsiderohen me rëndësi nga qytetarët me të cilët punojmë. Për këtë, qysh në fillim të javës së ardhshme do t’ju ftojmë në një takim të përbashkët gjithë ditor për t’i diskutuar hapur dhe drejtpërdrejtë të gjitha çështjet me interes, përfshirë përpjekjet e përbashkëta për të nxitur institucionet e Kosovës që të përshpejtojnë dhe lehtësojnë pajisjen me dokumente të Kosovës të të gjithë qytetarëve që hasin probleme në këtë proces. Në këtë formë, komunikimi ynë për këto do të vazhdojë drejtpërdrejtë, e jo nëpërmjet mjeteve të komunikimit publik.

Me respekt,

  1. Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
  2. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
  3. Instituti i Kosovës për Politika Europiane (EPIK)
  4. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
  5. DokuFest
  6. ÇOHU!
  7. Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
  8. Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI)
  9. Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
  10. Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
  11. Lëvizja FOL
  12. Demokraci Plus (D+)
  13. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)
  14. Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)
  15. Instituti GAP
  16. Demokracia për Zhvillim (D4D)
  17. Iniciativa për Progres (INPO)
  18. Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF)
  19. Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA)
  20. GERMIN. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç

Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç

Drejtësi
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Kalo në kategori