Propozimi i Sejdiut, Veliu: Duket se konsensusi Kurti-Osmani-Abdixhiku ka nisur shumë më herët

Ish-deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar lidhur me kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke e cilësuar atë si një kandidat që po paraqitet tashmë si “konsensual”.
Përmes një postimi në Facebook, Veliu ka kritikuar marrëveshjen politike mes Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit për kandidaturën e Sejdiut.
Sipas tij, konsensusi për Sejdiun nuk është krijuar tani, por ka nisur shumë më herët, duke iu referuar vendimeve të tij në Gjykatën Kushtetuese.
“Por, sipas rrëfimit të tyre (treshes), duket se konsensusi ka nisur shumë më herët… Madje qysh atëherë kur vendimet e tij (Sejdiut) në Gjykatën Kushtetuese i leverdisnin politikisht VV-së dhe i kushtonin LDK-së”, ka shkruar Veliu.
Ai ka ironizuar me mënyrën se si Sejdiu po paraqitet sot si kandidat i pranueshëm për të gjitha palët.
“Ai që dikur ishte ‘i dobishëm’ për një palë, sot na paraqitet si ‘i pranueshëm’ për të gjithë”, ka deklaruar ai.
Veliu ka kritikuar gjithashtu kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për qëndrimin ndaj gjashtë deputetëve të partisë që nuk e kanë mbështetur kandidaturën e Sejdiut.
Sipas tij, Abdixhiku duhet të ndalë sulmet ndaj deputetëve dhe të reflektojë për arsyet që kanë çuar në kundërshtimin e tyre.
“Nëse gjashtë deputetë thanë ‘JO’, ti duhet ta pyesësh veten PSE, para se t’i fajësosh”, ka shkruar Veliu.
Ish-deputeti ka theksuar se LDK-ja nuk duhet të trajtohet si pronë e një personi dhe se demokracia, sipas tij, nuk mund të funksionojë përmes urdhrave dhe bindjes.
“LDK-ja nuk është pronë e askujt. As demokracia nuk është urdhër”, ka shtuar tutje Veliu./Telegrafi/


































