LAJMI I FUNDIT:

Propaganda dhe mediat!

Propaganda dhe mediat!

Është e panevojshme që në këtë kohë e në këto rrethana të papërshtatshme politike, të ndizet debati rreth rolit pozitiv të VV-së në politikat ndërtuese të Kosovës.

Mendoj se kjo "kritikë" dhe ky "debat" mediatik janë të qëllimshme, të menduara "mirë" dhe, gjithsesi, kanë një strategji partiake: Ky "debat", ndër tjerash, ka edhe elemente të luftës speciale dhe të fushës së propagandës, e që në teorinë e shkencave të mediave dhe të komunikimit njihet edhe me emrin "spin doctors", shprehje kjo e përdorur për herë të parë ne gazetën "The New York Times" në vitin 1984.


"Spin doktors" janë mjeshtër të komunikimit që kanë për detyrë kontrollimin e komunikimit dhe atë të debatit publik. Këta janë specialistë që e planifikojnë dhe e shtyjnë debatin dhe porosinë aty ku këta duan dhe e dëshirojnë.

Duke u nisur nga kjo teori mund të argumentoj se, “debati”, shpifjet dhe inatet e shprehura për kapitullimin e epokës së PDK-së, është i mbështjellë me cilësitë e "spin doktorëve", pra të një lufte speciale e propagandistike.

Politika, ekonomia dhe kultura shqiptare, kanë telashe të mëdha. Populli është pa siguri, pa bukë e pa arsimim. Territori i Kosovës është në rrezik. Qeveria kapitulloi! Kjo qeveri kontrollin e ushtroi me sukses vetëm në media e në gazetarë…

Serbia agresive po udhëheq, e Thaçi po e ndjekë pas. Pse u shty seanca, keni menduar!?

Të gjithë po e shohim. E tërë Kosova po pret!

Situata e ngutshme retorike po na alarmon që të kundërshtojmë e të mos pajtohemi me humbjen. Dhe mu atëherë kur nga forumi intelektual i shqiptarëve pritet debat dhe kritikë në drejtim të atyre që po e “ndërtojnë“ një “trup të vdekur” në brendësi të Ballkanit, shpërthen “debati”, manipulimet, dhe “kritika”.

Por, ky “debat” dhe kjo “kritikë” shpërtheu në drejtim tjetër, çuditërisht e krejtësisht në anën tjetër: në vend se të merremi me problemin e madh të Kosovës, Qeverinë e Thaçit dhe klanin mafioz të tij, tanimë po zhvillohet “debati” dytësor dhe “kritika” periferike për Albin Kurtin dhe fitoren e popullit dhe VV-së për të udhëhequr bisedimet me Serbinë dhe rivlerësimin e marrëveshjeve të mëparshme me të.

Largimi i vëmendjes së popullit nga dështimet dhe hajnitë e Thaçit, dhe nga tragjedia që po na instalohet nga këto “bisedime” dhe orientimi i opinionit tek kyçja e VV-së tek Blloku, nuk është asgjë tjetër pos një strategji e specialistëve të mediave dhe komunikimit (kupto këtu SHIK-un dhe gazetarët e paguar nga këto struktura) për të “shitur” dhe për t`i dhënë debatit kah ku këta e dëshirojnë. Pra, zhvendosjen e opinionit publik nga problemi madhor e kombëtarë, tek një ndodhi e episod që s’ka peshë fare.