Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet E.R., i cili ka qenë në kërkim në bazë të urdhërarresteve aktive dhe letër-rreshtimit vendor e ndërkombëtar.

Sipas Prokurorisë, kërkesa për paraburgim është bërë për shkak të dyshimit të bazuar se E.R. ka kryer disa vepra penale, si dhe për shkak të ekzistimit të kushteve ligjore për caktimin e kësaj mase.


“Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prizren kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer disa vepra penale dhe ekzistimit të kushteve ligjore për caktimin e kësaj mase”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të pandehurit kanë qenë aktive dy urdhërarreste, ndërsa gjykata kompetente kishte lëshuar edhe letër-rreshtim vendor dhe ndërkombëtar, me kërkesë të organit të akuzës.

Rasti për të cilin është kërkuar paraburgimi lidhet me dyshimet për veprat penale “Detyrimi”, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale në vazhdimësi”.

Ndaj E.R. janë duke u zhvilluar edhe procedura të tjera penale në Prokurorinë Themelore në Prizren, përkatësisht në Departamentin për Krime të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm, si dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Këto procedura, sipas Prokurorisë, lidhen me dyshimet për veprat penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja” ndaj zyrtarëve shtetërorë.

Prokuroria ka arsyetuar kërkesën për paraburgim me faktin se i pandehuri ka qenë për një kohë të gjatë i pakapshëm për organet e drejtësisë dhe ka qenë subjekt i urdhërarresteve dhe letër-rreshtimit vendor e ndërkombëtar.

“Prokuroria vlerëson se në këtë fazë të procedurës penale ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke marrë parasysh se i pandehuri ka qenë për një kohë të gjatë i pakapshëm për organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Sipas organit të akuzës, në këtë rast ekziston edhe rreziku i ikjes dhe i pengimit të zhvillimit të procedurës penale. /Telegrafi/