LAJMI I FUNDIT:

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, gjatë 2020 – gjithçka që ndodhi pas 16 korrikut

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, gjatë 2020 – gjithçka që ndodhi pas 16 korrikut
Pamje nga takimi mes Donald Trump me Avdullah Hotin dhe Aleksandar Vuciq | Foto: Anna Moneymaker-Pool/Getty Images/Guliver

Pas 20 muajsh pauzë, bisedimet Kosovë- Serbi në kuadër të dialogut rinisën më 16 korrik të 2020-ës.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ishte takuar me përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit. Ai i kishte pritur në takime të ndara Avdullah Hotin, kryeministër i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë.

Por, Hoti dhe Vuçiq u ulën edhe përballë njëri-tjetrit për të diskutuar për dialogun në një takim i cili ndërmjetësohej nga i Dërguari i Posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak dhe kryediplomati evropian Josep Borrell.

Ky i fundit, pas këtyre takimeve, pati thënë se bisedimet janë në të mirë të qytetarëve të të dyja shteteve.

“Sot pres diskutime konstruktive në elementin e parë të temave që do të kontribuojnë në arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve. Inkurajoj të dy palët që t’iu qasen bisedimeve me frymën e kompromisit dhe pragmatizmit për të ardhmen evropiane të popullit të Kosovës dhe Serbisë”, kishte thënë Borrell.

Kurse, Emisari i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, kishte konfirmuar se ky proces do të vazhdojë në dy nivele.

Ai ishte shprehur se në nivel të lartë, siç ishte takimi i 16 korrikut, dialogu do të vazhdonte pas gati dy muajve, njofton Klan Kosova.

Pas këtyre zhvillimeve, shefi i qeverisë kosovare, Avdullah Hoti, raportoi para deputetëve në Kuvendin e Kosovës ku tha se ky nuk ishte një rifillim i një dialogu teknik.

“Në Bruksel ka filluar draftimi i marrëveshjes përfundimtare për dy tema – të pagjeturit dhe çështjen ekonomike. Nuk ka dhe nuk do të ketë dialog teknik. Takimet do të jenë për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, kishte deklaruar ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit kishte deklaruar se një nga temat e këtij takimi ishte edhe ekonomia dhe të zhdukurit e luftës.

“Nuk jam i sigurt që të gjithë e kuptuan që ekonomia duhet të diskutohet. Disa erdhën të flasin për dëmshpërblime të luftës. Unë refuzova dhe thashë që nuk kishte asnjë pikë për të folur për të”, kishte thënë Vuçiq.

Më 21 korrik të vitit 2020, shefi i ekzekutivit të Kosovës, Avdullah Hoti, kishte emëruar Skënder Hysenin si Koordinator të Kosovës për bisedimet në dialogun me Serbinë.

Hyseni më 23 korrik kishte mbajtur takimin e tij të parë, prej se e mori këtë pozitë, në Bruksel ku ishte diskutuar për të pagjeturit dhe të zhvendosurit/dëbuarit.

Delegacionin e Serbisë e udhëhoqi asokohe drejtori i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Më 1 gusht, Hyseni ishte nisur drejt Washingtonit për të zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë me qëllim të koordinimit rreth procesit të negociatave.

Hyseni, kishte treguar se gjatë vizitës në Washington ishte angazhuar që çështja e dialogut me Serbinë të mos zvarritet edhe më shumë.

Më 27 gusht të të njëjtit vit ishte zhvilluar takimi i radhës në nivel të ekspertëve në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd i drejtuar nga i Dërguari i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, i cili pos takimit të përbashkët kishte zhvilluar edhe takime të ndara me përfaqësuesit e të dyja vendeve.

Koordinatori Shtetëror i Kosovës për Dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, kishte treguar se Serbia kishte sjellje jokonstruktive në takim.

Sipas tij, Serbia në takim të përbashkët me Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u është kthyer ”elementeve për të cilët kishim dakordim në parim”.

”Serbia ka bërë përpjekje që të rihapë kapitujt të caktuar të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për të cilat kemi pasur një dakordim në parim. Krejt kjo vërteton brengën dhe shqetësimin që unë kam shfaqur prore se Serbia synon të vendosë në tavolinë çështje të cilat kanë vetëm një synim që procesi të zvarritet e të rrëshqasë eventualisht në diçka që ne assesi s’do ta pranojmë”, kishte thënë Hyseni për televizionin publik.

Ndërsa, Marko Gjuriq, koordinatori i delegacionit të Serbisë, kishte thënë se kanë diskutuar për të pagjeturit dhe të zhvendosurit brenda Kosovës, si dhe çështjet ekonomike.

“Ne sot luftuam këtu për interesat serbe përmes zgjidhjes së problemeve për çështjet jetike të njerëzve të zakonshëm dhe çështja jetike e popullit tonë në Kosovë është të zbulojmë fatin e mbi 500 serbëve. Bisedimet teknike do të mbahen sërish para takimit të shtatorit të liderëve politikë”, kishte deklaruar Gjuriq për mediat serbe.

SHBA, zhvillimet për dialogun dhe “Marrëveshja e Washingtonit”

Delegacioni i Kosovës në krye me kryeministrin Avdullah Hoti më 2 shtator shkoi në Washington të SHBA-së për të zhvilluar takimet e radhës për dialogun me Serbinë.

Para se të shkonte në këtë takim, Hoti kishte bërë thirrje që delegacionit kosovar t’i bashkoheshin edhe përfaqësues nga partitë opozitare, por as LVV-ja dhe as PDK-ja nuk e pranuan këtë ftesë.

Ishte Richard Grenell, emisari i presidentit të SHBA-së Donald Trump për dialogun, ai i cili tha se në këtë takim do të ketë diskutime në fushën e ekonomisë.

Gjatë kësaj vizite disaditore, Kosova dhe Serbia, më 4 shtator, firmosën marrëveshje të ndara me SHBA-në për normalizim ekonomik. Pjesë e ceremonisë së nënshkrimit ishin Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Ujdia u firmos në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e quajti të premten e 4 shtatorit “ditë historike”.

Çka parashihte Marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë?

Palët janë zotuar se do të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetjet e personave të humbur.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen ”zonës së Mini-Schengenit” që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova, sipas marrëveshjes, po ashtu është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Serbia, në anën tjetër, është pajtuar po ashtu që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Normalizimi i raporteve nis me transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor.

Sa i përket Liqenit të Ujmanit, në marrëveshje thuhet se palët do të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Pas nënshkrimit të ujdisë, kryeministri kosovar kishte deklaruar se marrëveshja e nënshkruar është një hap i madh që do të përfundojë me njohjen reciproke.

“Kjo është një marrëveshje që është hap i madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të finalizohet me njohjen reciproke mes dy vendeve. Nga Shtëpia e Bardhë kanë ardhur gjithmonë lajme të mira”, kishte thënë Hoti.

Ndërsa, presidenti i Serbisë kishte pohuar se është arritur një marrëveshje bilaterale mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpi të Bardhë dhe se pala e tretë Kosova ”nuk është njohur”.

”Ne kemi pasur një bisedë bilaterale të shkëlqyeshme dhe kjo është një gjë e madhe për Serbinë dhe për mua personalisht. Ne jemi pajtuar për gjëra të mira për vendin tonë. Ne nuk kemi asgjë për t’u frikësuar”.

Marrëveshja u kritikua nga partitë opozitare në Kosovë: PDK dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian potencoi se e ka në vëmendje nënshkrimin e dokumentit midis Beogradit dhe Prishtinës në Shtëpinë e Bardhë.

”Ne mirëpresim palët në Bruksel këtë fundjavë dhe javën e ardhshme për të vazhduar punën tonë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë që ka të bëjë me të gjitha çështjet e pazgjidhura në lidhje me marrëdhëniet e tyre dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe atë të BE-së”, kishte thënë Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, raporton Klan Kosova.

Takimi, i cili u mbajt në Shtëpinë e Bardhë, ishte i dyti i thirrur nga Washingtoni.

Kjo pasi emisari presidencial kishte planifikuar që një të tillë ta mbante më 27 qershor të vitit 2020, por i njëjti ishte anuluar, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte njoftuar publikisht se ka paraqitur një propozim-aktakuzë për krime lufte ndaj Presidentit të atëhershëm të Kosovës Hashim Thaçi i cili ishte paraparë të merrte pjesë në takim.

Thaçi, që nuk mori pjesë në takimin e 4 shtatorit, e mirëpriti atë se çfarë ndodhi atje.

Takimet në Bruksel dhe vazhdimi i dialogut për vitin 2021

Pas 4 shtatorit, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë patën takim në nivel të ekspertëve më 17 shtator të vitit 2020 me përfaqësuesit e BE-së për dialogun Prishtinë- Beograd.

Miroslav Lajçak kishte thënë se me kryenegociatorin kosovar dhe atë serb kishin diskutuar për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore.

“Sapo përfunduam bisedimet e sotme me kryenegociatorët Marko Gjuriq dhe Skënder Hyseni mbi pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore. Diskutimet tona konfirmuar kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e çështjes. Do të vazhdojë”, kishte shkruar Lajçak në Twitter.

Më 28 shtator në Bruksel ishte menduar të mbahej një takim i radhës për dialogun, por i njëjti u shty për një datë të pacaktuar “për shkak të masave të kujdesit përballë situatës me COVID-19”.

Temë e këtij takimi pritej të ishin diskutimet për çështjen e pronave dhe ato financiare ne mes dy vendeve. Por, nga ekipi serb i dialogut ishte thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ishte në mesin e pikave që do të diskutoheshin.

I pyetur rreth Asociacionit, Peter Stano, zëdhënës i BE-së, kishte thënë se “çështja e aranzhimeve për komunitetin jo-shumicë – Asociacion/ Komuniteti duhet të adresohet si pjesë e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse siç është rënë dakord në takimet e para të liderëve në korrik 2020 dhe të ri-konfirmohet në raundin e fundit më 7 shtator 2020”.

Nga Qeveria e Kosovës për klankosova.tv kishin deklaruar se qëndrimi i tyre është i njëjtë me atë të Avdullah Hotit, kryeministrit të vendit, i cili ka thënë se tema e Asociacionit është e mbyllur dhe nuk do të diskutohet.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati thënë se Beogradi është i gatshëm për bisedime me Prishtinën në Bruksel dhe se Asociacioni i Komunave Serbe është një temë e pashmangshme.

“Ne jemi gati të flasim. Asociacioni i Komunave Serbe është një temë e pashmangshme dhe ne do të këmbëngulim për këtë,” tha Vuçiq kur u pyet nga gazetarët nëse do të kishte një takim në Bruksel më 28 shtator, pas raportimeve se mund të shtyhet takimi.

Pas një muaj ndërprerje të bisedimeve për dialogun, ato rifilluan më 29 tetor, sërish në nivel të ekspertëve.

10 dhjetori është data kur është mbajtur takimi i fundit për vitin 2020 në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, derisa takimet e radhës do të mbahen në vitin 2021.

Gjatë këtij viti, Lajçak kishte qenë për vizitë në Kosovë dhe Serbi për të cilat në një intervistë për klankosova.tv tha se “ishin jashtëzakonisht të vlefshme për bashkëveprim me të gjitha palët politike, por po ashtu me aktorët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile”.

“Vizitat kanë qenë të rëndësishme për mua për të dëgjuar dhe për t’i kuptuar idetë, dëshirat, por gjithashtu vijat e kuqe dhe frikërat që kanë Kosova dhe Serbia”.

Në trend Lajme

Më shumë
Dygjuhësia duhet të merret si avantazh, jo problematikë te fëmijët – Pervizaj flet për hulumtimet e fundit

Dygjuhësia duhet të merret si avantazh, jo problematikë te fëmijët – Pervizaj flet për hulumtimet e fundit

Elfije Boletini
Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

Shëndetësi
RTK: Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

RTK: Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori