Një zyrtar i punësuar në Qendrën e Punësimit në Prilep kërkoi ryshfet prej 18.000 denarësh për t’i ndihmuar një banori të fshatit Belo Pole që të mos humbë ndihmën sociale, si dhe për ta vendosur gruan e tij në listën e personave që kërkojnë punë.

Policia e kapi dje, kur po i dorëzoheshin 6.000 denarët e fundit të ryshfetit.


Sipas Prokurorisë, pasi i dëmtuari dhe gruaja e tij, përfitues të ndihmës sociale, më 23 prill morën një SMS nga Agjencia që t’u paraqiteshin në një trajnim për punë, i dyshuari i tha se nëse refuzonte trajnimin do t’i hiqej ndihma sociale. Që kjo të mos ndodhte, ai kërkoi që i dëmtuari t’i jepte gjysmën e pagesës sociale, pra 6.000 denarë në muaj.

"Gjithashtu, i dyshuari i premtoi se do ta regjistronte gruan e tij në sistemin elektronik të Agjencisë si kërkuese aktive e punës, edhe pse ajo nuk kishte kartelë kontrolli dhe nuk e dorëzonte në Qendër", njofton Prokuroria.

Të nesërmen, i dëmtuari i çoi në zyrë 4.000 denarë, pastaj edhe 2.000 denarë të tjerë dhe vazhdoi t’i paguante çdo muaj. Gjatë dorëzimit të shumës së fundit prej 6.000 denarësh më 24 korrik, policët i gjetën dhe i sekuestruan kartëmonedhat e dyshuarit, pas së cilës ai u arrestua menjëherë.

Prokurori publik i dërgoi gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore në Prilep propozim për caktimin e masës së paraburgimit. I dyshuari ndiqet për veprën penale „marrje ryshfeti“.