Prishtina shënon 27-vjetorin e çlirimit me seancë solemne, theksohet rrugëtimi nga sakrifica te shtetndërtimi


Në shënim të 27-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal i kryeqytetit ka mbajtur seancë solemne, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe mysafirë të tjerë.
Në këtë seancë u vlerësua sakrifica për liri, rrugëtimi i shtetndërtimit dhe zhvillimi i kryeqytetit ndër vite.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se liria e fituar me sakrificë duhet të shoqërohet me përgjegjësi për ndërtimin e institucioneve dhe të ardhmes së vendit.

“Sot jemi në këtë seancë simbolike ku takohet historia me të ardhmen. Në njërën anë kemi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që me guxim, me sakrificë dhe besim e sollën lirinë. Në anën tjetër kemi institucionet që na ruajnë sot, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe të gjithë punëtorët që çdo ditë i shërbejnë kryeqytetit dhe qytetarëve të tij. Kjo pamje është dëshmia më e bukur e rrugëtimit tonë nga rezistenca te shtetndërtimi”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se 11 qershori nuk përfaqëson vetëm festë, por edhe përgjegjësi për të ardhmen e vendit.
“Dita e çlirimit nuk është vetëm ditë feste, është ditë përgjegjësie. Përgjegjësia jonë sot është të ndërtojmë një shtet dhe një kryeqytet të denjë për sakrificën që është bërë”, ka deklaruar ai.
Rama ka përmendur edhe projektet në fushën e kujtesës historike dhe zhvillimit kulturor, përfshirë përfundimin e varrezave të dëshmorëve në Makoc e Marec, ndërtimin e memorialit të familjes Jashari, si dhe projektin për parkun memorial dhe bibliotekën presidenciale “Ibrahim Rugova”.

Sipas tij, këto projekte përbëjnë “monumente të ndërgjegjes kolektive”, që shërbejnë si hapësira kujtese, edukimi dhe reflektimi për brezat e rinj.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, ka vlerësuar se liria e Kosovës është rezultat i sakrificës së brezave dhe se kujtesa për dëshmorët mbetet pjesë e pandashme e ndërgjegjes kombëtare.
“Është ditë krenarie, kujtese dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe shtetin tonë. Kjo liri u fitua me sakrificë të madhe dhe me çmimin më të lartë njerëzor”, ka thënë Kupina.

Ai ka shtuar se në historinë e çlirimit vend të veçantë zë Presidenti Historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, si dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa ka përmendur edhe kontributin e familjes Jashari dhe të dëshmorëve të tjerë të kombit.
Në seancë solemne ka folur edhe ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, i cili ka vlerësuar 11 qershorin 1999 si datë historike për Kosovën dhe kulmin e luftës çlirimtare.
“Çlirimi nuk ishte vetëm largimi i forcave pushtuese, por rikthim i identitetit njerëzor, e drejta për të jetuar lirshëm dhe pa frikë”, ka deklaruar Mustafa.
Seanca solemne është përmbyllur me mesazhe për ruajtjen e lirisë, forcimin e institucioneve dhe vazhdimin e zhvillimit të kryeqytetit. /Telegrafi/




































