LAJMI I FUNDIT:

Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Drenasi do përballen me reduktime të ujit, shkak reshjet e shiut

Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Drenasi do përballen me reduktime të ujit, shkak reshjet e shiut
Foto: Ilustrim

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se disa qytete do të mbesin pa ujë të pijshëm për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të cilat thuhet se kanë shkaktuar turbullira në Kanalin e Ibër Lepencit.

Sipas njoftimit, për shkak të shpërndarjes së barabartë të ujit, me reduktime janë pjesa dërmuese e Prishtinës nga ora 23:00-04:00, përveç objekteve vitale qendrore në qendër të kryeqytetit dhe lagjes “Dardania”.


Po ashtu, vështirësi në furnizim me ujë të pijshëm thuhet se ka edhe në Drenas, Fushë Kosovë dhe Obiliq.

“Derisa me çrregullime në sistemin e furnizimit me ujë janë edhe fshatrat e Podujevës të cilat furnizohen nga gypi i gizës fi 300 mm. Shpresojmë që sa më shpejt të tejkalohet kjo situatë e cila po monitorohet nga ne 24/7”, thuhet në njoftimin për media.

KRU Prishtina ka bërë me dije se Kanali i Ibër Lepencit menaxhohet nga NH “Ibër Lepenc”. /Telegrafi/