Kërkesa e prindërve të viktimave nga tragjedia në diskotekën “Puls” në Koçan, që prokurorja Ivana Trajçeva Aleksova të rikthehet për t’i udhëhequr lëndët kundër policëve të përfshirë, nga Këshilli i Prokurorëve Publik do të dërgohet në Prokurorinë Publike.

Sipas kryetarit të Këshillit të Prokurorëve Publik, Bashkim Besimi, ata kanë marrë vendim të tillë pasi kjo është në kompetencë të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.


"Ne morëm vendim që ta përcjellim në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për arsye se ata tashmë një herë kanë dhënë njoftim, që të mos dalim kontradiktorë dhe të kemi qëndrim të njëjtë. Ndërsa vendimi ynë për zgjedhjen tashmë është përfundimtar dhe i zbatueshëm dhe këtu nuk mund të ndikojmë”, deklaroi Bashkim Besimi, kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publik.

Në fund të marsit, Këshilli i Prokurorëve Publik nuk ia vazhdoi mandatin prokurores Ivana Trajçeva Aleksovës në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ajo i udhëhiqte lëndët për 23 policë të akuzuar në lidhje me tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan.

Vendimi i Këshillit të Prokurorëve Publik u kundërshtua nga prindërit e viktimave, ndërsa prokurori i ri shtetëror, Nenad Saveski, lidhur me këtë vendim deklaroi se nuk duhet të krijohet përshtypja se vetëm një prokuror mund të sigurojë procedurë cilësore./Alsat/