Presidentja Osmani: Bashkë me disa artistë nga Kosova festuam arritjet globale të Rita Orës dhe të shqiptarëve kudo që janë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ndodhet prej disa ditësh në Kosovë.
Ajo është e shoqëruar nga familjarët si dhe nga bashkëshorti i saj, regjisori Taika Waititi.
Në prag të festave të Nëntorit, është organizuar edhe një ndejë, ku përveç familjes Ora të pranishëm qenë edhe një pjesë e madhe e figurave publike.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ndarë disa fotografi në Facebook, ku tregon se të gjithë janë mbledhur për të festuar sukseset e Ritës.
Aty shihen edhe artistë si: Dafina Zeqiri, Ylli Limani, Alma Bektashi, Valdrin Sahiti etj.

Të pranishëm qenë edhe disa aktorë përfshirë, Kaltrina Krasniqin, Blerta Basholli e Samir Karahoda.
“Sukseset e Ritës kthyen sytë e botës kah vendi ynë, e prej atëherë ajo u ngjit lartë e më lartë duke ngjitur skenat e muzikës anekënd botës”, tha Osmani.

Presidentja shtoi: “Sonte, në prag të Ditës së Flamurit, bashkë me miq dhe disa nga artistët më të suksesshëm nga Kosova, festuam arritjet e panumërta globale të Rita Orës dhe të shqiptarëve kudo që janë, duke uruar që arritjet e tyre të vazhdojnë të shërbejnë si frymëzim për gjeneratat e reja”.
Rita theksojmë se festoi edhe ditëlindjen e 33-të në Kosovë, ku me të arritur në aeroport iu organizua një befasi. /Telegrafi/













































