LAJMI I FUNDIT:

Presidenti shqiptar

Ka më shumë se tre javë që mediat shqiptare, si në Shqipëri po ashtu në Kosovë flasin me intensitet të shtuar për presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Se është i një rëndësie të veçantë debati për presidentin e Shqipërisë, kjo nuk do as një diskutim. Përkundrazi, është shumë imediat. Shikuar me dioptrinë e kohës dhe të pozitës në të cilën ndodhën shqiptarët në përgjithësi, zgjedhja e një presidenti i cili paraprakisht do të respektonte Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, sidomos në pjesën ku presidenti duhet të kujdesët e të reflektoj për shqiptarët jashtë kufijve aktual të Republikës së Shqipërisë, është i rëndësisë së veçantë.

Zgjedhja e presidentit shqiptar nuk duhet konsideruar si moment i thjesht i kalueshëm me procedura të cilat kanë shkuar deri tani, por si një moment i një rëndësie të veçantë të cilit duhet kushtuar kujdes të gjithë shqiptarët. Kjo për faktin se vjetori në të cilin jemi shënon shekullin e shtetit shqiptar, edhe pse i ndarë në disa pjesë.


Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë figurë politike e konsumuar dhe e pa dëshmuar për të mirë. Ky do të mund të ishte kushti paraprak. Mirëpo, përveç se të jetë respektuesi kryesor i Kushtetutës aktuale të Republikës së Shqipërisë, ai duhet që me kapacitet të plotë të jetë unifikuesi i gjithë shqiptarëve dhe mbrojtësi kryesor politik e diplomatik i tyre.

Pa dyshim, klasa politike në Shqipëri duhet ta kujtojë se po përzgjodhën një president i cili mendohet të ju shërbej interesave politike ditore të tyre, ata me këtë do t’i bëjnë dëm jo vetëm vetës së tyre por të gjithë kombit shqiptar.

Shqipëria është në fazën e provimit më të madh të saj. 100 vjetori i ekzistimit të Republikës së Shqipërisë i jep momentit të zgjedhjes së presidentit domethënien edhe më të madhe, andaj klasa politike nuk e ka komoditetin e të bërit politik ditore me zgjedhjen e presidentit.

Republikës së Shqipërisë, por as shqiptarëve në përgjithësi nuk u ka ndihmuar as presidenti i ashtu emëruar konsensual, as partiak e as i preferuari i shumicës politike i bërë përmes koalicioneve jo natyrale. Bash për këtë presidenti i ardhshëm si figurë e rëndësishme përfaqësuese e Shqipërisë dhe si garant kryesor i jetësimit të Kushtetutës, e cila kërkon që Republika e Shqipërisë të përkujdesët për të gjithë shqiptarët jashtë kufijve të saj, duhet të jetë personalitet i pranuar, i respektuar, i pandikuar nga politika ditore dhe autoritet politik i pa konsumuar.

Përfundimisht, nëse kësaj figure i themi “presidenti shqiptar” atëherë ky duhet të jetë vërtet presidenti i shqiptarëve në kuptimin më të mirë e më të fuqishëm të fjalës.

Presidenti shqiptar me vullnetin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përfaqëson jo vetëm Shqipërinë aktuale, por problemet e të mirat e dhjetë milionë shqiptarëve. Shqiptarët është dëshmuar që janë komb dashamir i paqes, demokracisë, vlerave më të avancuara të respektit ndër-njerëzor dhe të fqinjësisë së mirë. Politikanët e Tiranës, por edhe ata të Prishtinës, Shkupit, Preshevës e Ulqinit duhet të ndalojnë, nëse jo përgjithmonë, mirëpo sot, në këto momente, të orvaten e të kënaqën me një zyrë pa bërë as provën e duhur për të ngritur kombin shqiptar në nivelin të cilin e meriton.

Momenti i historisë nuk kthehet, 100 vjet pas, kombi shqiptar anekënd trojeve të veta pret shpërblimin e sakrificës.